Telegrafi

Sulm kundër një pjese të rrjetit të fibrave optike në Francë – mediat sjellin detajet

Fillimisht trafiku hekurudhor, tani rrjeti i fibrave optike: në Francë, është kryer një sulm i ri kundër infrastrukturës. Janë prekur rrjetet e telefonisë fikse dhe celulare të departamenteve të caktuara – jo Parisi.

Persona të panjohur kanë dëmtuar rrjetet e fibrave optike në disa rajone të Francës gjatë natës.

Sipas raportimeve të mediave, janë prekur 6 nga 101 departamentet franceze. Parisi, ku zhvillohen Lojërat Olimpike, nuk është një prej tyre.

Sekretarja franceze e Shtetit për Çështjet digjitale, Marina Ferrari, shkroi në Platformën X se dëmi gjatë natës kishte pasur ndikim tek operatorët e telekomunikacionit.

Sipas Sekretares së Shtetit, është prekur qasja në telefoninë kabllore, fikse dhe celulare në nivel lokal.

Riparimi i plotë i shërbimeve është në proces.

Ferrari shkroi: “I dënoj në mënyrën më të ashpër këto akte frikacake dhe të papërgjegjshme”.

Gazeta “Le Parisien” raportoi se janë prekur operatorët Bouygues, Free dhe SFR.

Kjo do të ketë pasoja në rrjetin fiks dhe celular – duke përfshirë operatorët e huaj që përdorin rrjetin SFR.

Sipas gazetës, ende nuk dihet se sa persona janë prekur nga ngjarja. Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për dëmet.

Të premten e kaluar, persona të panjohur kryen sulme në rrjetin hekurudhor të SNCF, duke shkaktuar ndërprerje masive në trafikun hekurudhor pak para hapjes së Lojërave Olimpike në Paris.

Ministri i Transportit Patrice Vergriete deklaroi në RTL se për 100.000 vetë nga rreth 800.000 vetë që kishin dashur të udhëtonin me tren këtë fundjavë, qenë anuluar udhëtimet me tren.

Paraditen e së hënës (29.07.), ministri i Transporteve bëri të ditur se të gjithë trenat po funksionojnë sërish normalisht.

Nuk dihet ende nëse ka lidhje mes këtij incidenti të ri dhe sulmit ndaj sistemit hekurudhor.

Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin tha se mendohet se pas sulmeve qëndrojnë anëtarët e grupeve të së majtës ekstreme. Në këtë kuadër u arrestua një ekstremist i majtë dhe u identifikuan profilet e disa personave.

Bëhen shumë arrestime

Ministri Darmanin tha për kanalin France 2 se dhjetëra njerëz ishin arrestuar tashmë në Francë, sepse kishin dashur të prishnin Lojërat Olimpike.

Ata kishin dashur gjatë garave të para olimpike të kryenin “aksione sabotuese ose radikale proteste”.

Por i kishin penguar ta bëjnë këtë. Gazeta “Le Parisien” raportoi se ishin arrestuar 45 anëtarë të lëvizjes radikale mjedisore Extinction Rebellion.

Me aksionet e planifikuara ata kishin dashur të protestonin kundër pasojave sociale dhe mjedisore të Lojërave Olimpike. /DW/