Studenti mitrovicas prodhon djathë nga hirra

Petrit Idrizi, ka demantuar thënien popullore, të paktën pjesën e dytë të saj se “Tërshëra nuk bëhet bereqet dhe hirra bulmet”. Si student i nivelit Master në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore (FTU) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ai ka arritur që të prodhoj djathë nga hirra dhe me këtë edhe e ka mbrojtur temën e diplomës me titull “Vlerësimi i teknologjisë së përftimit të djathit-hirrë”. Idrizi tregon se ideja për këtë i ka lindur gjatë qëndrimit në një universitet në Holandë, në kuadër të programit Erasmus+. “Me një grup studentësh gjatë qëndrimit në Holandë kemi filluar një eksperiment për prodhimin e djathit nga hirra dhe profesorët kanë qenë të mahnitur pas prezantimit të punës sonë”, bëhet e ditur në njoftim.

Idrizi potencon se kjo ka qenë diçka e re për natyrën e punës kërkimore që është bërë në FTU, mirëpo ka gjetur mbështetje nga mësimdhënësit dhe në këtë rast nga mentori, prof.dr.Alush Musaj.
“Përkundër asaj se në laboratorët e FTU-së mungojnë disa pajisje që janë të nevojshme për këtë lloj prodhimi, ai ka dalë me sukses që të kryej hulumtimin e tij dhe të prodhoj djathin nga hirra. Tregon se kjo ka zgjuar kureshtjen edhe në mesin e studentëve, meqë deri me tani në Kosovë nuk është kryer një eksperiment i tillë”, thuhet në njoftim.Një fakt i rëndësishëm në aspektin shkencor, është se djathit të prodhuar i janë bërë analizat mikrobiologjike dhe janë dalë brenda parametrave normal.






















































