Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës për çështjen e presidentit, ka thënë se është diskutuar për qëndrimet që do t’i ketë ky subjekt politik në raport me zgjedhjen e një emri që do të drejtojë institucionin e Presidencës së Kosovës.

Stavileci ka thënë se nuk është diskutuar për emër të përveçëm, por për parimet që do të mbahen.


“Ne kemi biseduar fillimisht për parime, cili do të jetë qëndrimi që do ta mbajë kryetari i PDK-së. Ju e dini se kryetari ynë ditë më parë ka shprehur këto qëndrime. Të gjitha strukturat e partisë jemi në konsistencë me qëndrimet tona, pothuajse të gjithë unanimisht jemi për atë që ka prezantuar kryetari i partisë sonë”, ka thënë ai.

Stavileci tha se PDK kërkon stabilitet shtetëror, institucional dhe baraspeshë pushtetesh e pozitash, raporton rtk.

“Ajo çka ishte dominuese në këtë takim është se PDK angazhohet siç është angazhuar më herët në të kaluarën, në të tashmen dhe siç do ta bëjë edhe në të ardhmen, që shteti të ketë stabilitet, institucionet të kenë stabilitet. Poashtu të ketë parime të sakta dhe të qarta në mënyrë që të ketë baraspeshë institucionale”, deklaroi Stavileci.