LAJMI I FUNDIT:

Starton Bundesliga, të gjithë në ndjekje të Bayernit

Starton Bundesliga, të gjithë në ndjekje të Bayernit

Koha e fjalëve mbaroi, kampionati i kampionëve të botës do të startojë në fundjavë teksa Bayerni mbetet preja e rivalëve.

Kampionët janë kundërshtari për t’u mundur, ekipi për t’u rrëzuar nga froni pasi në të kundërt bavarezët do të vendosin rekordin historik me 4 tituj radhazi në Bundesligë. Edhe këtë sezon gjigandët bavarezë janë favoriti kryesor, teksa në unison të gjithë trajnerët e skuadrave në Bundesligë i shohin ata si favoritë, edhe pse premtojnë se do të ketë surpriza. Për Guardiolën ky sezon paraqet një sfidë të vërtetë, pasi ka detyrën të synojë përsëritjen e suksesit të vitit 2013, me fitimin e tripletës. Blerjet e Arturo Vidal dhe Douglas Costa i kanë bërë më kompetitivë kampionët, të cilët kanë shtuar konkurrencën në skuadër. Afrime kanë bërë dhe skuadrat e tjera, por më e rëndësishmja për rivalët është se kanë ruajtur yjet e tyre. Zakoni e do që siparin e sezonit në Gjermani ta ngrejnë kampionët, me Bayernin që do të presë në Allianz Arena Hamburgun.

Armata e Pep Guardiolës e nisi sezoni me humbjen në Superkupën e Gjermanisë ndaj Wolfsburgut, por kualifikimi javën e kaluar në Kupën e Gjermanisë qetësoi shpirtrat bavarezë. Përballë tyre do të jetë i vetmi ekip i Bundesligës që surprizoi me eliminimin nga Kupa Hamburgu, që mbi të gjitha ka një ecuri negative me 13 ndeshje radhazi pa fitore ndaj Bayernit, ku janë regjistruar 3 barazime dhe 10 suksese kuqeblu. Kjo e së premtes është sfida numër 250 e Bayernit në Allianz Arena, teksa ndaj Hamburgut ka kujtime të mira dhe të këqija.

Fitoren më të thellë përpara publikut të tyre bavarezët e kanë regjistruar pikërisht ndaj Hamburgut, 8-0 në shkurtin e këtij viti. Por Hamburgu është gjithashtu skuadra e para që i ka mposhtur në shtëpi në kampionat bavarezët, 2-1 në Marsin e 2006. Suksesi në turneun miqësor të Audi Cup por edhe dështimi në Superkupën e Gjermanisë janë një kapitull i mbyllur. Bayerni është skuadra për t’u mundur, dhe të parët që do të tentojnë surprizën janë djemtë e Bruno Labadias që mbijetuan edicionin e shkuar falë fitores në transfertë në sfidën Play Off ndaj Karlsruhes. /Supersport/