Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim ministren për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, në kuadër të vizitës së saj të parë zyrtare në Prishtinë pas marrjes së detyrës.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, koordinimi në politikën e jashtme si dhe avancimi i mëtejshëm i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.


Spiropali e cilësoi vizitën e saj si një moment me peshë të veçantë politike dhe kombëtare.

“Ishte nder i veçantë dhe përgjegjësi e thellë që vizitën time të parë si ministre ta bëj pikërisht në Prishtinë. Një vizitë që vjen menjëherë pas vizitës së kryeministrit Rama dhe presidentit Begaj dhe krijimit të qeverisë së re. Kosova nuk është zgjedhje protokolli, por zgjedhje historie dhe politike dhe deklarim i qartë se ku qëndron prioriteti ynë kombëtar. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është një kapitull i zakonshëm i diplomacisë, por vijimësi e rrugëtimit të përbashkët të skalitur në sakrificë dhe qëndresë”, u shpreh Spiropali, përcjell Telegrafi.

Ajo kujtoi momentet kyçe të historisë së Kosovës, duke theksuar se viti 1999 ishte momenti kur bota pa padrejtësinë, por edhe dinjitetin e një populli që kërkonte të jetonte i lirë, ndërsa viti 2008 shënoi kthimin e aspiratës për liri në shtetësi dhe vendosjen e Kosovës në hartën e botës.

Sipas saj, viti 2026 duhet të jetë viti i konsolidimit të plotë të subjektivitetit kombëtar të Kosovës dhe i mbylljes përfundimtare të çdo paqartësie historike për vendin e saj në Evropë.

“Nuk po ndërtojmë një marrëdhënie nga e para, por po forcojmë një bosht kombëtar mes dy republikave motra, dy shteteve që ndërtojnë histori. Qeveritë tona kanë zgjedhur marrëdhënie të ndërtuar mbi realitetin. Kosova është prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë”, deklaroi ajo.

Spiropali shtoi se çdo njohje e re dhe çdo anëtarësim i ri i Kosovës në organizata ndërkombëtare përbën investim në sigurinë, dinjitetin dhe stabilitetin e historisë shqiptare dhe të gjithë rajonit, përcjell Telegrafi.

Po ashtu Spiropali tha se masat shtrënguese kundër Kosovës ishin kundër produktive "E themi me plotë gojën që Kosova meriton statutin e vendit kandidat pa standarde të dyfishta dhe pa pritje të pafundme".

“Një Evropë që kërkon besim nga rajoni duhet të tregojë besueshmëri në vendimarrjen e saj. Shqipëria është në rrugën e saj të negociatave për anëtarësim të saj në BE...tani duhet të filloj mbyllja e negocimit me Shqipërinë dhe duhet të fillojë për Kosovën".

Gjithashtu spiropali foli edhe për ish krerët e UCK-së të cilët po gjykohen në Hagë.

“Sot në Hagë përballen me drejtësinë udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Emrat e tyre janë të njohur për çdo qytetarë të Kosovës. Ne nuk ndërhyjmë në proces dhe nuk paragjykojmë asnjë proces gjyqësorë, por kemi obligim moral të themi që drejtësia do të jetë drejtësi e plotë, pa shkelje të standardeve ndërkombëtare ligjore, pa shkelje të të drejtave të njeriut, jo drejtësi e pjesshme”.

Ndërkaq, ministrja për Evropën dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj në Kosovë do të takohet edhe me presidenten, Vjosa Osmani, kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu si dhe kryeministrin Albin Kurti. /Telegrafi/