Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka përfunduar me dëgjimin e të gjithë dëshmitarëve dhe pa prezantim të provave të reja.

Megjithatë, katër të akuzuarit vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.


Së fundmi, masa e paraburgimit ndaj Kadri Veselit është zgjatur nga gjyqtarët e Gjykatës Speciale, pavarësisht se vetë gjyqtarët kanë konstatuar se nuk ekziston rrezik arratisjeje dhe nuk ka prova që Veseli mund të ndikojë në dëshmitarë.

Në vendimin e gjyqtarëve theksohet se Prokuroria Speciale ka vazhduar të paraqesë të njëjtat argumente që janë shqyrtuar dhe hedhur poshtë më parë, duke përmendur ndërgjegjësimin e Veselit për akuzat, potencialin e një dënimi të gjatë dhe provat e paraqitura kundër tij.

Gjyqtarët konfirmuan gjithashtu se përfundimi i gjykimit nuk rrit rrezikun e arratisjes dhe nuk ndikon në prezumimin e pafajësisë. Megjithatë, ata argumentuan se ekziston një klimë e vazhdueshme frikësimi të dëshmitarëve dhe ndërhyrjeje në procedurat penale ndaj ish-anëtarëve të UÇK-së në Kosovë.

“Paneli vëren se emrat dhe të dhënat personale të disa dëshmitarëve shumë të ndjeshëm janë bërë të njohura për një gamë më të gjerë njerëzish, përfshirë të akuzuarin, gjë që rrit rrezikun që informacioni i ndjeshëm të bëhet publik. Në këtë kontekst, lirimi i një të akuzuari nuk do të ishte i favorshëm për mbrojtjen efektive të dëshmitarëve”, thuhet në vendim.

Gjyqtarët theksuan se qëllimi i vazhdimit të paraburgimit është mbrojtja e integritetit të procedurave dhe e dëshmitarëve të mbrojtur, duke marrë parasysh ndikimin e madh që ish-krerët e UÇK-së kanë në Kosovë dhe klimën e frikësimit të dëshmitarëve./Telegrafi.