Sot mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka paralajmëruar për sot mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare.
Nuk është mbajtur asnjë seancë e Kuvendit që kur Hashim Thaçi dha betimin e tij si president i Kosovës para deputetëve.
Kryesia ka propozuar këtë rend dite për mbledhjen e sotme: miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mëparshme; përgatitjet për seancën plenare; koha për deklarime jashtë rendit të ditës; koha për pyetje parlamentare; mratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme; shqyrtimi i Projektligjit nr. 05/L-093 për ratifikimin e Konventës për heqjen e kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961); shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.05/L-095 për Akademinë e Drejtësisë (i plotëson kushtet me 27.04.16); shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.05/L-064 për patentë shofer; shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale; shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës; shqyrtimi i Raportit të performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2014; zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës; zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media; zgjedhja e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit; zgjedhja e anëtarëve të Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit; zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe shqyrtimi i propozimeve dhe kërkesave.
















































