Trajneri më i suksesshëm në futbollin tonë, mendon se fillimi i sezonit ri të garave, ka sjell futboll mesatar, por pa ndonjë ndryshime të theksuar nga kampionatet e kaluar.
Sokoli, i cili ka fituar gjithë trofetë e mundshëm në futbollin tonë, por që trofe ka fituar edhe jashtë kufijve, në një intervistë për KosovaPress, fillimisht ka folur për fillimin e këtij sezoni.

Sipas Sokolit, Gjilani, Trepça ’89 dhe Feronikeli janë skuadrat që kanë startuar mjaft mirë në këtë kampionat. Ai beson se këto skuadra mund të jenë ekipet që mund të garojnë për titullin e kampionit.


“Kampionati ka filluar dhe si zakonisht në ndeshjet e para futbollistët nuk janë në formën maksimale, sepse është fillimi i kampionatit dhe xhirot e para kanë treguar futboll mesatare dhe është e arsyeshme se është fillimi i kampionatit. Ekipet të cilat kanë treguar ndonjë formë më të mirë në dy xhirot e para janë Gjilani, Trepça ’89, Feronikeli, mandej vijnë ekipet që kanë fituar nga një ndeshje si Besa e Drenica e kështu me radhë. Është herët të flitet për konkurrencën për kreun e tabelës, por në qoftë se analizohen ekipet dhe përforcimet, mendoj se do jenë këto ekipe që në strat e kanë treguar vetveten para se gjithash Feronikeli, Trepça ’89, Gjilani, këto janë ekipe që kanë fond më cilësor”, ka thënë Sokoli.

Sokoli, i cili se fundmi ka drejtuar FC Prishtinën mendon se futbolli i Kosovës është i nivelit të njëjtë më shtetet e rajonit. Por sipas tij, niveli i futbollit tonë mund të ngritet në momentin kur do të pranohemi në UEFA e FIFA.

“Futbolli në Kosovë nëse krahasohet me rajonin është i njëjtë, normal se për shkak të ndërkombëtarizimit ka mbetur parapa në vitet e fundit, dhe nuk mund të them se jemi maksimalisht të përgatitur për garat ndërkombëtare apo për të kaluar ndonjë xhiro në garat e Evropës, por unë mendoj se dalë nga dalë nuk jemi edhe aq lartë kur është në pyetje dhe cilësia jemi aty ku është edhe rajoni. Kur flas për rajonin mendoj për Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, këto janë afërsisht vendet ku futbolli kosovar mund të krahasohet, edhe pse në Maqedoni dhe Shqipëri janë bërë hap të mëdhenj viteve të fundit, por unë jam i sigurt se me ndërkombëtarizimin do të zëmë hapin edhe ne”, ka theksuar ai.

Sokoli ka folur edhe për përfaqësuesen e Kosovës, e cila pritet të jetë pjesë e kualifikimeve për Botërorin “Rusi 2018”.

Ai është i bindur se në momentin kur Kosova do të jetë pjesë e UEFA-së e FIFA-së, përfaqësuesja jonë e gatshme dhe shumë e fortë, sepse sipas tij, në përfaqësuesen tonë do të ketë emra të mëdhenj të futbollit që aktualisht militojnë në klubet e ndryshme evropiane. Sokoli mendon se disa nga futbollistët që aktivizohen në Kombëtaren shqiptare do të ndërrojnë mendjen dhe do t’i bashkohen përfaqësues së Kosovës, dhe sipas tij, kjo gjë nuk është e mirë për futbollin shqiptar. Sokoli është i bindur se shumë shpejtë shqiptarët do të kenë një kombëtare te vetme.

“Jam i sigurt se në rast të pranimit të përfaqësues, përfaqësuesja e Kosovës do të jetë shumë më e fuqishme, më e fortë, do të ketë emra shumë më të mëdhenj se sa që aktualisht grumbullohen për ndeshjet miqësore, do të jetë motivi shumë më i madh dhe jam i sigurt se do të ketë lëvizje në këtë drejtim. Kur them se do të ketë lëvizje mendoj se një numër i madh i futbollistëve të cilët këtë moment prezantohen në përfaqësuesen shqiptare, do të ndërrojnë mendjen, apo ata të cilët nuk kanë mundur të gjejnë veten në përfaqësuesen shqiptare do të luajnë për përfaqësuesen e Kosovës dhe e kundërta, kjo gjë për futbollin mbarë shqiptare nuk është aq e dobishme, sepse do të kemi shpërndarje të cilësisë, kualitetit, në dy përfaqësues, e që unë mendoj se një përfaqësues e fuqishme më lehtë mund të krijohet, por sido që te jetë do të kemi lëvizje në këtë drejtim, e cila do të jetë e dëmshme për cilësinë e futbollit shqiptare, por sido që të jetë unë mendoj se në një të ardhme jo shumë të largët do të kemi një përfaqësuese, një flamur dhe një himn”, ka pohuar Sokoli.

Ai është i bindur se nuk është e largët dita kur shqiptarët do të kenë vetëm një kombëtare, dhe sipas tij, krijimi i një kombëtare do të ndodh patjetër.

Sokoli, i cili ligjëron në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Sporteve të Edukimit Sportiv, ka folur edhe për të ardhmen e tij. Ai e pranon se është kontaktuar nga disa klube të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, por duket se dëshira e tij është që zejen e trajnerit ta vazhdojë në Shqipëri. /KosovaPress/ 

telegrafi sport app