“S’ndjejmë presion”, Orges Shehi i lumtur me fillimin e shkëlqyer te Ballkani: Kemi objektiva madhore

Nënkampioni i Kosovës, FC Ballkani ka objektiva madhore këtë sezon, megjithatë nuk ka asnjë pikë presioni pasi është mësuar që sa vite, kështu ka deklaruar trajneri Orges Shehi gjatë intervistës për Telegrafin.
Pas shtatë xhirove të zhvilluara, Ballkani renditet në pozitën e dytë në elitën e futbollit kosovar, mirëpo për dallim nga të gjitha klubet e tjera ende nuk e ka shijuar humbjen.
Në shtatë ndeshje, Ballkani ka regjistruar katër fitore dhe tre barazime. I lumtur me këto rezultate është edhe Shehi, i cili lavdëroi lojtarët për paraqitjet që po bëjnë.
“Është e vërtetë që kemi marrë rezultate pozitive dhe shyqyr Zotit nuk kemi humbje. Mendoj që çunat po punojnë fort dhe janë shumë të vëmendshëm ndaj çdo detaji”, tha fillimisht ai.
Pavarësisht që Ballkani është favorit për titull, klubi nga Suhareka nuk ndjen fare presion. Shehu ndër të tjera deklaroi se klubi është strukturuar gjatë verës, andaj edhe janë më të rrezikshëm se vitin e kaluar.

“Sa i përket presionit, të them të drejtën nuk ndjejmë. Ka vite që Ballkani është skuadra për t’u mposhtur dhe jemi mësuar me këtë situatë”.
“E kam thënë edhe herë të tjera: viti i kaluar ishte tranzicion i madh për Ballkanin. Unë jam trajneri i tretë vit radhazi dhe pas sezonit që mbaroi kemi strukturuar pak skuadrën. Që nga faza e fundit e vitit të shkuar, skuadra ka qenë në këtë lloj interpretimi loje. Këtë vit kemi punuar shumë, kemi shtuar elementë të rinj për t’u bërë akoma më të rrezikshëm dhe për këtë arsye them se lojtarët kanë treguar vëmendje maksimale në çdo stërvitje”.
48-vjeçari beson gjithashtu se lojtarët janë përmirësuar dukshëm edhe në aspektin psikik.
“Mentaliteti është shumë i rëndësishëm dhe në këtë aspekt jemi përmirësuar shumë. Nuk e kishim këtë forcë vjet, por kemi kohë që ngulmojmë që skuadra të shprehet njësoj në çdo fushë ku luan”.

Në fund, Shehi nënvizoi se ky është vetëm fillimi si dhe nuk harroi t’i falënderonte tifozët “Xhebrailat” që po e ndihmojnë klubin me mbështetjen e madhe.
“Ballkani është skuadër me objektiva madhorë çdo sezon dhe jemi të vetëdijshëm për këtë. Nuk kemi arritur ende asgjë që të ‘dehemi’. Duam prapë të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje dhe unë kërkoj gjithmonë një performancë në rritje”.
“Tifozët kanë impakt dhe ndikim të madh tek ne. I përshëndesim dhe i falënderojmë pa masë për mbështetjen e tyre”, shtoi ai për Telegrafin.
Ballkani aktualisht ka 15 pikë në tabelë, një më pak se Prishtina, skuadër me të cilin përballet në xhiron e ardhshme në “Fadil Vokrri”./Telegrafi/


















































