LAJMI I FUNDIT:

Skënderbeu në etnokulturë: Kudo që shkonte, bënte mrekullira – çan malin, pagëzon vende, bekon bereqetin… dhe mallkon!

Skënderbeu në etnokulturë: Kudo që shkonte, bënte mrekullira – çan malin, pagëzon vende, bekon bereqetin… dhe mallkon!

Mund të mendohet se tashmë krijimtaria për Skënderbeun ka mbaruar. Kohë interneti, thua. Por jo! Prapë për heroin kombëtar thurën vargje të ndjera, shkruhen këngë, bëhen piktura. Si në kohë të Mesjetës. Si në kohë të Rilindjes. Si duket, për gjenitë asnjëherë nuk pushon muza.

Skënderbeu është nga e gjithë Shqipëria, pasi nuk ka fushë, kodër, mal, krua, përrua, breg, urë, kala, qytet që nuk lidhet me të. Ku nuk e ka çuar populli përmes gojëdhanave votrën e tij të lindjes? Të parët e tij ishin nga gjithkah… Aq më tepër fushëbetejat e tij, që i hasim gjithkund në fusha e male. Dhe nuk ka asnjë gabim këtu. Fundja, ky është mulliri i etnosit, ai bluan edhe nga krenaria kombëtare. Folku ka ndjenjë, shpirt, në ninulla, këngë historike, fjalë të urta, rrëfime popullore. Shkenca e historisë është tjetër zeje! Ajo ka veçse metër…


Ndjen kënaqësi që dhe sot e kësaj dite, kudo që vete nëpër malësitë tona, ndodhitë me Skënderbeun njerëzit i rrëfejnë si t’i kenë pasur të shkruara jo në libra, por në faqet e maleve. Mjafton të sodisësh vetëm rreth e qark lumit Fani i Madh në Mirditë, ku toponimet e Skënderbeut dhe Lekë Dukagjinit janë të ndërkallura, siç kanë qenë dhe vetë “bashtinat” e tyre.

Njërën këmbë të urës së Vaut të Madh, thotë gojëdhëna, një natë stuhie e ndreqi Skënderbeu e tjetrën Lekë Dukagjini, për t’i bashkuar ushtritë në luftë kundër ushtrisë otomane. Në njërën lartësi të lumit Fan i Vogël është “Sofra e Skënderbeut” e në bregun tjetër është “Guri i Lekës”. Franz Nopça shkruan: “Për çdo gërmadhë midis Oroshit dhe zinxhirit të madh të Alpeve Shqiptare thonë se e ka ndërtuar Leka; në Qelëz të Pukës dhe Blinisht të Mirditës populli tregon gurë të rrafshët, të cilët janë të njohur si ‘Sofra e Lekës’. Në popull, kur flitej për Lekën, nuk shihej e nevojshme që emri i tij të shoqërohej dhe me mbiemrin, sepse ishte tejet i popullarizuar, aq sa malësorët dikagjinës thirrëshin ‘Lekët’, që nënkuptonte bijtë, trimat e Lekë Dukagjinit”.

Po ashtu thuhej Kanuni i Lekës, pasi veç një Lekë kishte pasur historikisht që nuk e kishte të nevojshëm mbiemrin, njëlloj si princët iliro-arbëror.

Qysh para pesëdhjetë vitesh etnologu i njohur, akademik Mark Tirta, ka gjurmuar e botuar toponimet dhe gojëdhënat që lidhën me Skënderbeun në Mirditë, duke u nisur nga dëshmitë e Marin Barletit, sipas të cilit Skënderbeu me ushtrinë e tij luftoi kundra turqve në Bulgër (në Kulme të Dërvenit dhe në luginën e Fanit, pranë Rubikut) etj. Barleti përmend dhe disa kështjella në këto anë, ku mundet që të tilla të kenë qenë “Kulla e Barotit e Skanderbegut” në Bulgër, “Shkallët e Skënderbegut” në Konaj të Fandit, një rrënojë në Spaç etj (M. Tirta, Skënderbeu në gojëdhënën popullore të Mirditës, Tiranë 1968).

Gojëdhënat kanë mbërritur deri në ditët e sotme: “Guri i Skënderbeut” në Zhrrelë të Konajve shoqërohet dhe me gojëdhënën përkatëse, si në të gjitha rastet e tjera. Sipas saj, kali i Skënderbeut kërcente nga Shkalla e Konajve e në anën tjetër të lumit, në Munellë, ku asht gjurma e tij”. Po kështu vazhdojnë legjendat dhe gojëdhënat e Skënderbeut në Kthellë – Epër e Shebe, mbledhur nga goja e popullit e botuar në shtypin e viteve ’30 në Shkodër: “Në Grykë të Urakës, Selitë, diftohet një rrasë me emën ‘Gjurma e Kalit të Skanderbegut’, sepse tuj kalue Skanderbegu aty pari i rrëshqiti kali m’atë rrasë e la të dukme patkojt”.

Po në Trangë të Selitës, një fortesë natyrore që puthet me qiellin, gjithë kulla në shkrep, vendasit përmendin “Shpellën e Skënderbeut”: “Në Kulme të Dervenit, ndërmjet Kthellës e Zhupës, asht nji krue me emnin ‘Kroi Skanderbeg’” (At Marin Sirdani, Skanderbegu mbas gojëdhanave, Shkodër 2008). Kur Skënderbeu pyeti në Shollgjanë se si quhej ai vendi i thellë atje poshtë, vendasit iu përgjigjën në dialektin e tyre se i thoshin “Thkellë” dhe kështu i mbeti emri Kthellës, nga Thkellë/Kthellë.

Sipas profesor Tirtës, “legjendat përmendin në bashkëveprim me Skënderbeun ,‘Skandën, Përlatin, Ricën, Kukën, Kabalin, Lufajt etj.’, emra që ruhen dhe sot në Mirditë si llagape familjesh”. Për më tepër Skënderbeu ka pasë gjeneralë përlatasit (nga fshati Përlat), ku më i shquari ka qenë gjenerali abat Pjetër Përlati, komandant i kështjellës së Sfetigradit, si kështjellari tjetër Gjon Përlati, që dalin si në histori ashtu dhe në gojëdhëna.

Kurse, Gravril Dara i Ri sikur na nxjerr nga kuadri gojëdhanor kur shkruan se nëna e Skënderbeut, Vojsava, ishte e bijë e princit të Mirditës, ani se për të tjerë ajo ishte e bija e princit të Pollogut, larg nga territoret mirditore.

Janë të shumta adresat Skënderbeut nëpër Mirditë, që lidhën me origjinën, qëndrimin, luftimet e tij në këtë trevë, prej historisë apo brumit të gojëdhënave, si: Kastër (Dibërr), Bulgër (Rubik), Kulme/Derven, Spaç, Pëshqesh e Bukël (Blinisht), Ndërshenë (Orosh), Konaj (Fand), Shebe, Malaj, Kthellë, Lufaj, Selitë, Mërkurth, Krejë-Lurë etj., duke shkuar deri në emra më të vegjël lagjesh, urash, pyjesh apo kodrash, si Shqalsh, Shollgjanë, Ura e Vaut të Madh, Kodra e Shkrepës, Kodra e Taçit, Shkalla e Piskut, Guri Gjon etj.

Populli e ka himnizuar e shenjtëruar Skënderbeun, ai ngado që vete bën mrekullira, në Laç-Bruç nxjerr shpatën, çan malin tej e tej dhe prej grykës shpërthen gurra ku pi ujë ushtria e tij; pagëzon vende, bekon bereqetin apo pemët (dardhat) ku ka ngrënë ushtria, por dhe mallkon e namët e tij ngjisin. Si kudo tjetër në Shqipëri, Skënderbeu edhe në Mirditë ka objektet e tij shenjuese jo të pakta, “kala”, “ura”, “kroje”, “gurë”, “sofra”, “shkallë”, “gjurmë” që lidhën me emrin e tij.

Meshurdhi i Simonit përmendet si një tjetër vatër e Skënderbeut në Mirditë. Mu në mes të lumit Fani i Madh ngrihet një shkëmb i murrmë mbi të cilin gjendet një kala/fortifikatë e vjetër. Disa studiues mendojnë se vendlindja e Skënderbeut është e lidhur me këtë vend. Valter Shtylla shkruan se fshati Simon i Mirditës, pas gjurmimesh dhe hulumtimesh të mëtejshme, mund të konsiderohet si i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, veçanërisht për kronikën e familjes së Kastriotëve. Edhe të tjerë autorë përcaktojnë Simonin si vendlindjen e Gjergj Kastriotit, ndër të cilët studiuesi maqedonas Popovski, i cili thotë se Skënderbeu ka lindur në fshatin Simon. Të njëjtën gjë thotë dhe Johann Hahn në “Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe Vardarit” (1867), Mamçillo Spremiq në “Albanija, XIII – XV” (1969), Jastrebov në “Stara Srbja i Albanija” (1904), çka e mbështetet dhe Fulvio Kordinjano në veprën “Gjeografia eklesiastike e Shqipërisë” (1934), të dhëna këto të sjella përmes botimit “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”, II, Tiranë 2017 të autorit Gjon Marku.

Kështu ka ecur ky popull, me Heroin e vet Kombëtar, nëpër krojet e legjendave, gurët e kalave dhe fletët e arkivave. Simbolika e tij ka vazhduar të krijohet mot pas moti, bashkë me atë të shqiponjës dhe bririt të dhisë, në emblema e sende të ndryshme të përdorimit vetjak dhe sidomos për sajdisjen e miqve, duke filluar nga kutia e duhanit të duvaku i nuses. Portreti i Skënderbeut është qendisur nga duart e grave e vajzave, por dhe është stilizuar e derdhur me bakrin e Rubikut.

Mund të mendohet se tashmë krijimtaria për Skënderbeun ka mbaruar. Kohë interneti, thua. Por jo! Prapë për heroin kombëtar thurën vargje të ndjera, shkruhen këngë, bëhen piktura. Si në kohë të Mesjetës. Si në kohë të Rilindjes. Si duket, për gjenitë asnjëherë nuk pushon muza. Një mirditor i çiftelisë, Lleshi nga Oroshi, porosit një portret të Skënderbeut të punuar në dru dhe ia dhuron ambasadores së BE-së në vendin tonë, kroates Romana Vlahutin. Teksa shkollarët e kësaj treve, si në të gjithë vendin, i kanë mbushur muret e shkollave plot me “vizatime” kushtuar Gjergj Kastriotit, kryekalorësit të republikës…