Sindikata e Punëtorëve e Radiotelevizionit të Kosovës ka shprehur shqetësim serioz për gjendjen financiare dhe institucionale në transmetuesin publik, duke kërkuar veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

Sindikata ka kërkuar harmonizim të menjëhershëm të pagës minimale në RTK, në përputhje me rritjen e pagës minimale në sektorin publik, e cila deri në muajin korrik pritet të arrijë në 500 euro.


“Punëtorët e transmetuesit publik nuk mund të trajtohen ndryshe nga pjesa tjetër e sektorit publik. Çdo vonesë në këtë drejtim përbën padrejtësi dhe cenim të parimit të barazisë para ligjit”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

Po ashtu, Sindikata i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që në leximin e dytë të buxhetit të sigurojë rritje reale dhe të qëndrueshme të buxhetit për RTK-në.

Sipas saj, RTK-ja nuk po e merr financimin prej 0.7 për qind sipas ligjit dhe i janë hequr edhe 2.2 milionë euro, duke krijuar pasiguri serioze financiare dhe duke penguar zhvillimin institucional.

Sindikata ka kërkuar edhe aplikimin e pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së, duke theksuar se përjashtimi i tyre nga kjo e drejtë përbën diskriminim dhe shkelje të të drejtave ligjore.

“Nëse kjo e drejtë realizohet për kategori të tjera në sektorin publik dhe përjashtohet RTK-ja, atëherë kemi të bëjmë me diskriminim të qartë”, theksohet në deklaratë.

Gjithashtu, Sindikata ka kërkuar sqarim publik nga Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së nëse është dërguar raport financiar dhe kërkesë zyrtare për rritje të buxhetit, duke vlerësuar se transparenca është detyrim institucional.

Në reagim kërkohet që çdo kontratë dhe vendim i marrë gjatë periudhës së pasigurisë institucionale të shqyrtohet nga Komisioni për Media dhe Komisioni për Buxhet dhe Transfere, si dhe të sigurohet kontroll i rreptë ligjor deri në konsolidimin e plotë institucional.

Sindikata ka paralajmëruar se, nëse këto kërkesa nuk adresohen, do të fillojë protesta në ditët në vijim dhe do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

“Kërkesat tona janë të bazuara në ligj dhe në parimin e barazisë. Nuk do të pranojmë asnjë zgjidhje që i anashkalon ato”, përfundon reagimi. /Telegrafi/