Si t’i lani siç duhet leckat e mikrofibrës? Kështu arrijnë të përballojnë deri në 500 larje

Leckat e mikrofibrës janë bërë një aleat i pazëvendësueshëm në pastrimin e shtëpisë, sepse mbajnë pluhurin, papastërtinë dhe bakteret më mirë se çdo material tjetër
Falë strukturës së tyre të veçantë, këto lecka mund të thithin disa herë më shumë lëng se pesha e tyre dhe të pastrojnë në mënyrë tërësore sipërfaqet pa përdorur kimikate shtesë. Janë ekologjike, të ripërdorshme dhe ekonomike, një leckë cilësore mikrofibre mund të përballojë deri në 500 larje, nëse mirëmbahen si duhet.
Ato janë bërë nga fibra sintetike ultra të holla, kombinim i poliesterit dhe poliamidit, të cilat janë deri në 100 herë më të holla se qimet e njeriut. Në vetëm një inç katror mikrofibre gjenden më shumë se 200.000 fibra, gjë që u jep aftësinë të “kapin” edhe grimcën më të vogël të pluhurit.
Pikërisht për këtë arsye janë të buta, të qëndrueshme dhe nuk lënë gjurmë as në sipërfaqet më të ndjeshme si xhami, pasqyrat apo ekranet.
Si përdoren leckat e mikrofibrës dhe sa shpesh duhen larë?
Falë fuqisë së jashtëzakonshme thithëse dhe pastruese, lecka të mikrofibrës përdoren pothuajse në çdo pjesë të shtëpisë, për fshirjen e sipërfaqeve të punës, dyshemeve, mobilieve, xhamave, madje edhe në pastrimin e makinës. Janë ideale si për pastrim të thatë, ashtu edhe për pastrim me ujë, dhe mund të përdoren edhe për lustër.
Megjithatë, për të ruajtur efikasitetin e tyre, duhen larë rregullisht. Rekomandohet të lahen pas çdo përdorimi, ose më së largu pas përdorimit të tretë, sepse në fibra mbeten baktere, pluhur dhe lagështi, të cilat mund të krijojnë erë të keqe dhe të ulin aftësinë thithëse. Nëse nuk lahen si duhet, në sipërfaqe do të mbeten vija dhe njolla që më pas vështirë hiqen, transmeton Telegrafi.

Larja në makinë apo me dorë - cila është zgjedhja më e mirë?
Leckat e mikrofibrës duhen larë gjithmonë veçmas nga rrobat e tjera, sepse tërheqin lehtësisht pushin dhe grimcat nga tekstilet e tjera. Para larjes, tundini lehtë jashtë për të hequr grimcat më të mëdha.
Për lecka shumë të ndotura përdorni ujë të ngrohtë, ndërsa për ato më pak të ndotura ujë të ftohtë. Më së miri lahen me një detergjent të butë, pa zbutës rrobash, sepse zbutësi mbyll mikroporet e fibrave dhe pengon thithjen. Nëse njollat janë të forta, njomini në ujë të ngrohtë me pak detergjent për 10-15 minuta para larjes.
Nëse i lani me dorë, mbushni lavamanin me ujë të ftohtë, shtoni disa pika detergjent, lini lecka të zhyten për 15 minuta dhe më pas i fërkoni lehtë. Shpëlajini mirë dhe shtrydhni ujin e tepërt. Kurrë mos përdorni ujë të valë, sepse dëmton fibrat.

Si të thahen dhe si të ruhen?
Pasi të lahen, më së miri është të thahen natyralisht, të shtrira në një sipërfaqe të rrafshët ose të varura, larg rrezeve direkte të diellit. Nëse i thani në makinë, zgjidhni temperaturë të ulët dhe patjetër pa zbutës. Para dhe pas tharjes, pastroni filtrin e pushit që ato të mos ngjiten sërish në material.
Kur të jenë tharë plotësisht, palosini dhe ruajini në një vend të thatë, të mbrojtura nga pluhuri dhe lagështia. Nëse vini re se leckat nuk thithin më si më parë, janë bërë të ashpra ose kanë një erë të pakëndshme që nuk largohet as pas larjes, është koha t’i ndërroni.
Një leckë cilësore, me mirëmbajtjen e duhur, mund të zgjasë deri në dy vjet ose të përballojë 300 deri në 500 larje. /Telegrafi/



































