Shpëtim nga vala e të nxehtit: Kujdes i domosdoshëm për kafshët shtëpiake

Nxehtësia nuk kursen askënd - ja si të parandaloni mbinxehjen dhe sëmundjet verore tek kafshët shtëpiake
Temperaturat e larta verore janë një sfidë jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët tona shtëpiake, të cilat janë të pambrojtura ndaj të nxehtit dhe shpesh nuk mund të shprehin shqetësimet e tyre në mënyrën që ne i kuptojmë.
Edhe pse nuk mund të flasin, qentë dhe macet përjetojnë stres termik, dehidrim dhe pasoja të tjera serioze në trupin e tyre të ndjeshëm. Vetëm ushqimi, strehimi dhe kujdesi veterinar nuk mjaftojnë për të siguruar mirëqenien e tyre gjatë verës, nevojitet përkujdesje e përditshme dhe vëmendje e shtuar ndaj sinjaleve që na dërgojnë.
Njihni mikun tuaj që të dini si ta mbroni
Kujdesi i duhur fillon me njohjen e veçorive të secilës kafshë, prejardhjen, racën, strukturën fizike dhe sjelljen. Kafshët me qime të gjata, me hundë të shtypur ose me lëkurë të ndjeshme janë më të rrezikuara nga vala e të nxehtit. Për këtë arsye, është e rëndësishme të përshtatni mënyrën e kujdesit ndaj kushteve të tyre specifike.
Shenjat e para të mbinxehjes dhe çfarë të bëni
Nëse qeni fillon të marrë frymë shpejt e me vështirësi, hap gojën vazhdimisht dhe nxjerr gjuhën, kjo është një shenjë e qartë e mbinxehjes. Veprimi i parë duhet të jetë lirimi i zinxhirit, ofrimi i ujit të freskët dhe zhvendosja në një ambient më të freskët. Nëse simptomat vazhdojnë, mos hezitoni ta çoni menjëherë te veterineri.
Ambienti dhe strehimi
Mos i lini kurrë kafshët në ambiente të mbyllura pa ajrim, në makina të parkuara apo në vende ku bien rrezet direkte të diellit. Kolibet e qenve duhet të vendosen në vende me hije natyrale, larg betonit të nxehtë apo pllakave që përthithin temperaturën. Edhe për macet, sigurohuni që të kenë hapësira të freskëta dhe të mbrojtura ku mund të strehohen.
Mos i shëtisni në vapën e mesditës
Orët më të rrezikshme janë nga ora 11:00 deri në 17:00. Shëtitjet duhet të bëhen herët në mëngjes ose në mbrëmje, kur toka është më e freskët dhe rrezet më të buta. Mos harroni: nëse asfalti djeg dorën tuaj, ai djeg edhe putrat e kafshëve!
Racat më të ndjeshme ndaj të nxehtit
▪ Qentë me qime të gjata dhe të dendura si husky dhe pastorët gjermanë duhet të qethen para sezonit të nxehtë, zakonisht në pranverë dhe në fillim të vjeshtës. Mos i qethni totalisht, pasi qimet ofrojnë mbrojtje natyrale nga dielli.
▪ Racat me hundë të shtypur si bulldog, pug dhe shih tzu kanë vështirësi në frymëmarrje në kushte të nxehta, prandaj duhen mbajtur në ambiente me ajër të kondicionuar ose të freskët.
▪ Qentë me qime të zeza ose të trasha, si Doberman apo Rottweiler, përthithin më shumë rreze UV, çka rrit rrezikun e mbinxehjes.
▪ Qentë e racës Holly janë të ndjeshëm ndaj dermatitit të shkaktuar nga dielli, sidomos në zonën e hundës.
Macet nuk janë më pak të rrezikuara
Edhe pse shpesh janë më të kujdesshme dhe kërkojnë vende të freskëta vetë, macet mund të preken nga djegiet e diellit, veçanërisht ato me qime të bardha dhe lëkurë të ndjeshme. Ato duhen mbajtur brenda gjatë orëve të nxehta dhe të kontrollohen rregullisht për ndonjë irritim në lëkurë.
Uji është shpëtim
Kafshët duhet të kenë gjithmonë në dispozicion ujë të pastër dhe të freskët, jo të ftohtë si akulli, sepse mund të shkaktojë kontraksione të stomakut. Ndërroni ujin disa herë në ditë dhe vendoseni tasin në një vend të lehtë për t’u arritur, larg rrezeve të diellit.
Kujdesi për kafshët në moshë dhe parazitët
Kafshët në moshë janë më të prekshme nga diabeti, kolapsi termik dhe sëmundjet e zemrës gjatë temperaturave ekstreme. Prandaj, ato kërkojnë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe ndoshta edhe frekuentim më të shpeshtë te veterineri. Gjithashtu, kontrolloni rregullisht për parazitë si pleshtat apo rriqrat, të cilët shumohen më shumë gjatë verës dhe mund të transmetojnë sëmundje.
Këshillë shtesë: Disa pronarë përdorin veshje të lehta freskuese për kafshët ose dyshekë që qëndrojnë të ftohtë përmes xhelit natyral, këto janë zgjidhje shumë të dobishme për ditët më të nxehta.
Kujdesi për qentë dhe macet nuk është luks, është përgjegjësi. Me disa hapa të thjeshtë, mund të siguroni një verë të qetë dhe të shëndetshme për miqtë tuaj të përkushtuar me katër putra. /Telegrafi/




















































