Si deputet ukrainas, duhet të jem i sinqertë me popullin tim

Nuk do t’i braktisim parimet tona themelore, por paqja kërkon pragmatizëm.
Nga: Oleksiy Goncharenko / The Telegraph
Përkhtimi: Telegrafi.com
Teksa këtij viti po i vjen fundi, një prej debateve më të rëndësishme për Ukrainën po bëhet gjithnjë e më i qartë. Nuk mund të përballojmë ta humbasim këtë moment. Negociatat për paqe nuk janë thjesht një test diplomatik për ne; ato mbartin peshën e mbijetesës kombëtare. Sinqeriteti është thelbësor dhe nuk duhet ta lejojmë veten të humbim në iluzione ngushëlluese.
Si politikanë ukrainas, detyra jonë është të flasim haptazi me popullin tonë. Forca matet jo vetëm me gatishmërinë për të luftuar, por edhe me mençurinë për t’u ndalur kur kostoja kërcënon ekzistencën tënde. Ka trimëri në qëndresë, por edhe në qartësi.
Në një udhëkryq të tillë, Ukraina duhet të veprojë me vendosmëri dhe saktësi. Pragmatizmi dhe realizmi - jo fantazia, jo dëshirat - janë aleatët tanë më të afërt. Iluzionet mund të jenë fatale. Shpresat joreale mund të sabotojnë të vetmen mundësi reale për t’ia dhënë fundin vuajtjeve. Realizmi nuk është defetizëm.
Ukraina në këtë fazë nuk mund ta mposhtë Rusinë ushtarakisht. Miliona ukrainas duan fitoren; fitoren e vërtetë, drejtësinë dhe përgjegjësinë. Ne duam që armiku ynë të ndëshkohet për mizoritë dhe terrorin e tij. Por, sinqeriteti ka rëndësi. Pavarësisht mbështetjes së paprecedentë nga Perëndimi, pavarësisht vullnetit tonë të hekurt, mbetemi pala më e vogël dhe më e dobët.
Megjithatë, as rusët nuk po fitojnë. Ata janë të bllokuar. Marrin vetëm disa metra tokë me një kosto të tmerrshme njerëzore. Terrori është strategjia e tyre - bombardimet e blloqeve të banimit, spitaleve dhe kishave. Ata nuk arritën ta merrnin Kievin.
Por, presioni i vazhdueshëm që ushtrojnë - dronët, sulmet me raketa, lodhja e pafundme - rëndon mbi ukrainasit si një re e zezë. Ukraina qëndron në një udhëkryq ku trimëria puçet me lodhjen, dhe ku strategjia duhet të zëvendësojë emocionin. Ky është realiteti ku e shohim veten.
Kryesorja, më në fund doli një draft-marrëveshje paqeje. Ajo paraqet një punë substanciale dhe biseda të vështira. Por, sërish duhet të na udhëheqë realizmi. Disa pjesë të propozimit janë të papranueshme për Ukrainën - parime thelbësore që nuk mundemi dhe nuk do t’i braktisim.
Janë katër pika kyçe: territori, ushtria, garancitë e sigurisë dhe integrimi evropian.
Marrëveshja i referohet kufizimit të madhësisë së ushtrisë. Përmendet shifra prej 800 mijë pjesëtarësh të shërbimit dhe kjo shifër ka rëndësi të madhe. Ukrainës i duhet një forcë e armatosur profesionale, moderne, e aftë për të penguar agresionin e ardhshëm dhe për t’u siguruar që asnjë armik të mos e nënvlerësojë më kurrë gatishmërinë tonë. Pa ushtri, nuk ka sovranitet. Nuk ka kufij. Nuk ka të ardhme.
Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend që mund të ofrojë garanci të tilla. Garancitë amerikane kanë peshë reale. Po ashtu, është thelbësore që votimi për këtë dokument, në Kongres, mund të ketë fuqi të konsiderueshme. Ai mund të përcaktojë fatin e Ukrainës për dekada të tëra.
Integrimi evropian është një tjetër gur themeli. Anëtarësimi në BE nuk është simbolik; është e vetmja spirancë strukturore që mund ta mbështesë Ukrainën në të ardhmen. Dhe, Ukraina, nga ana e saj, mund ta forcojë gjithashtu BE-në përmes përvojës së saj, ekspertizës ushtarake dhe potencialit ekonomik. Po, kemi nevojë për rindërtim, por mund t’ju siguroj: ukrainasit dëshirojnë me gjithë zemër përfundimin e luftës dhe kthimin në jetën normale: të punojnë, të investojnë në të ardhmen, të zhvillojnë biznesin dhe të rrisin ekonominë.
Për të gjitha këto arsye, diplomacia tani duhet të funksionojë me kapacitet të plotë. Ukraina duhet të jetë në gjendje të artikulojë vijat e saj të kuqe, të sqarojë nevojat e saj dhe të negociojë pa iluzione. Nuk është koha për tregime të zbukuruara. Është kohë për analizë të kthjellët.
Për vite me radhë, Ukraina dëgjoi përralla për triumfin e demokracisë, sikur vetë fjalët mund të na mbronin. Por, nuk na mbrojtën fjalimet, por raketat, tanket, sistemet e mbrojtjes ajrore. Dhe, aktualisht, nuk ka sa duhet prej tyre. Realiteti duhet të zëvendësojë retorikën.
Ukraina duhet të hartojë strategjinë e saj diplomatike me mendje të kthjellët: të pranosh kufizimet nuk do të thotë të pranosh disfatën.
Ajo që i duhet Ukrainës tani është paqja - një paqe e vërtetë, e zbatueshme, e qëndrueshme. Vetëm atëherë mund ta fillojmë detyrën e madhe të rindërtimit të vendit tonë, të riparojmë qytetet tona, ta shërojmë ushtrinë tonë dhe ta rikthejmë popullin tonë në shtëpi. Por, kjo është një temë tjetër. /Telegrafi/


















































