LAJMI I FUNDIT:

Shumë kërkesa, pak buxhet

Shumë kërkesa, pak buxhet

Ka shumë pak mundësi që buxheti për këtë vit të miratohet më 31 janar, kur ai të dalë për votim në Kuvendin e Kosovës. Pas kundërshtimit të LDK-së e të LVV-së, shpresa e vetme për Qeverinë është Partia Socialdemokrate, por ajo ka vënë kushte për të cilat nuk negociohet.

Ka pothuajse një muaj që kemi hyrë në vitin e ri, por Kuvendi ende nuk e ka miratuar buxhetin për këtë vit. Më 21 dhjetor të vitit të kaluar u votua në parim buxheti për vitin 2019, ndërsa tash më 31 janar të këtij do të vihet në votim të dytë.

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë shprehur qëndrimet e tyre kundër këtij buxheti, ndërsa partia tjetër opozitare PSD-ja përmes disa kushteve që ka vënë do ta ndihmojë miratimin e tij.


Ndër kushtet që ka vënë Partia Socialdemokrate është edhe shkarkimi i ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo, i cili ende nuk ka ndodhur. Mosvotimi i buxhetit do të mundë të çojë në krizë buxhetore vendin. Megjithatë së fundmi buxheti i Kosovës është ngarkuar edhe me vendimin e Qeverisë për rritje pagash të personelit mjekësor e të mësimdhënësve, vendim të cilin Komisioni për Buxhet dhe Financa ende nuk e ka akomoduar në buxhet. /Zëri/Telegrafi/