Komuna e Gjilanit ka njoftuar se është shtyrë afati për dorëzimin e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

Sipas njoftimit nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, më 16 janar 2026, ka marrë vendim me numër 214/2026 për vazhdimin e afatit të aplikimit për legalizim, për një periudhë prej 12 muajsh nga data e nënshkrimit të vendimit nga ministri në detyrë i MMPHI.


Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit, Ali Arifi, ka bërë të ditur se ky vendim u jep mundësi shtesë pronarëve të objekteve të ndërtuara pa leje që të kompletojnë dhe dorëzojnë aplikacionet e tyre brenda afatit të ri të përcaktuar.

Me këtë rast, Komuna e Gjilanit u bën thirrje të gjithë pronarëve të objekteve pa leje që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë për legalizim brenda afatit të lejuar ligjor.

Informata shtesë lidhur me procedurat e aplikimit mund të gjenden në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit. /Telegrafi/