Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vazhduar përplasjet publike me ndërmarrjen publike “Pastrimi”, duke akuzuar drejtuesit e saj për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike, pavarësisht investimeve të mëdha nga komuna.

Sipas Ramës, Komuna ka ofruar mbështetje të konsiderueshme për “Pastrimin”, përfshirë: 12 milionë euro në të hyra dhe subvencione, 1.4 milionë euro për blerjen e kamionëve të rinj, 3,800 kontejnerë të rinj, të financuar tërësisht nga komuna.


Megjithatë, ai thotë se menaxhmenti i ndërmarrjes ka dështuar në përmbushjen e misionit të saj bazë: pastrimin e qytetit.

“Përkundër kësaj mbështetjeje të konsiderueshme, menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje ka dështuar në mënyrë sistematike dhe ka prodhuar skandale të njëpasnjëshme për keqpërdorimin e parasë publike”, ka shkruar Rama.

Ai ka ngritur një varg pyetjesh për të cilat kërkon përgjigje nga Kryeshefi i ndërmarrjes “Pastrimi”:

Sa është paga juaj dhe sa paguhen anëtarët e menaxhmentit?

Pse janë ndarë bonuse në kohë humbjesh financiare?

Pse janë kërkuar miliona euro për “konsulenca”?

Si justifikohet punësimi i 900 punëtorëve për vetëm 30 kamionë?

Sa punëtorë janë punësuar nga janari deri në maj dhe me çfarë kriteresh?

Rama e përmbylli reagimin e tij duke theksuar se “absurditeti, papërgjegjësia dhe keqpërdorimi menaxherial ka kaluar çdo kufi” dhe se “koha për përgjegjësi ka ardhur”.