Një shtetas shqiptar dhe një grua nga Letonia janë arrestuar dhe akuzuar për një vrasje që ndodhi në qytetin Gravesend të Kentit, Angli.

Policia e Kentit ka bërë të ditur se oficerët u thirrën të martën, rreth orës 22:21, pas raportimeve për një përplasje mes disa individëve jashtë një banese në rrugën Augustine. Në vendngjarje, ata gjetën një burrë rreth të tridhjetave me plagë të shkaktuara nga thika.


Viktima u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai ndërroi jetë gjatë trajtimit. Familjarët më të afërt janë njoftuar nga autoritetet.

Policia ka bërë të ditur se Shahim Bulica, 25 vjeç, me origjinë nga Shqipëria, dhe Erika Korska, 31 vjeçe, nga Letonia të dy banues në Gravesend janë zyrtarisht të akuzuar për vrasje. Ata u arrestuan pak pas mesnatës së së enjtes dhe aktualisht ndodhen në paraburgim.

Të hënën, ata pritet të dalin përpara Gjykatës së Magjistraturës në Medway. Ndërkohë, një burrë 33-vjeçar, gjithashtu nga Gravesend, i cili u ndalua në kuadër të hetimeve, është liruar pa u ngritur ndonjë akuzë ndaj tij.

Hetimet janë ende në vijim dhe autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që mund të kenë informacion të vlefshëm për ngjarjen të kontaktojnë policinë.