Site icon Telegrafi

Shpërthen bombola e gazit në një lokal në Rahovec, 10 persona të lënduar

Si pasojë e një shpërthimi të bombolës së gazit, 10 persona kanë mbetur të lënduar në një lokal në fshatin Ratkoc të Rahovecit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja për Rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj.

Ajo ka thënë se bombola ka shpërthyer në një qebaptore të këtij fshati, kurse personat e lënduar janë dërguar për trajtim në spitalin e Gjakovës.

“Me datë 18.01.2019 në ora 19:55 min, përmes telefonit Stacioni Policor në Rahovec ka pranuar një informacion se në fshatin Ratkoc në një lokal (qebaptore) “Te Dollari” ka ndodhur një shpërthim që dyshohet të jetë nga bombola gazi, nga ky shpërthim  dyshohet se janë lënduar disa persona (rreth 10 persona te cilët janë derguar në spital rajonal në Gjakovë), patrullat policore menjëherë janë dalë në vend të ngjarjes, kanë bërë sigurimin e vendit”, ka thënë Podrimaj.

Lexo po ashtu Bombola e gazit merr flakë, alarmon banorët e një ndërtese në lagjen “Mati 1” në Prishtinë (Foto)

Sipas zëdhënëses së Policisë, të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

“Të lënduarit sipas mjekut për momentin janë jashtë rrezikut për jetë, por po mbahen në trajtim mjekësor, 9 nga të lënduarit”, ka thënë Podrimaj.

Një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe mbrëmë në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, por ku nuk kishte pasur të lënduar. /Telegrafi/

Exit mobile version