Talenti belg Mika Godts (20) po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në Eredivisie dhe Ligën e Kampionëve, falë lojës së tij shpërthyese me Ajaxin.

Nga akademia e Genk në Belgjikë, deri te përfshirja në një listë speciale nga vetë Lionel Messi, karriera e tij ka marrë hov të jashtëzakonshëm në moshë shumë të re.


Godts është një sulmues me këmbë të djathtë, i njohur për driblimet e shpejta, fleksibilitetin dhe aftësinë për të luajtur në të gjitha pozicionet ofensive.

Ai u zbulua nga skautët e Ajaxit në akademinë e Genk, kur ishte vetëm 17 vjeç, dhe në janar të vitit 2023 u transferua në Amsterdam për t’iu bashkuar ekipit U21.

Pas vetëm pak muajsh, performancat e tij bindën stafin teknik që ta ngjisin menjëherë në skuadrën e parë. Sot, ai po zhvillon sezonin e tij të tretë si futbollist profesionist në Eredivisie.

Në 77 paraqitje me Ajaxin, Godts ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 13 asiste, duke treguar se posedon jo vetëm shpejtësi, por edhe vizion të lartë në lojë.

Jeta personale, dashuri dhe besim

Më 27 qershor 2025, Godts u martua me partneren e tij Haifa, në një ceremoni tradicionale islame (Nikkah), pasi u bë besimtar i fesë së saj.

Në një intervistë për kanalet zyrtare të Ajaxit, ai tregoi edhe momentin e propozimit: “Ishim me pushime në Itali. Ishte një vend shumë i bukur, isha pak nervoz, por gjithçka shkoi për mrekulli”.


Messi e përfshin në listën e 10 talenteve të së ardhmes

Në fillim të tetorit, Adidas publikoi një listë me 10 futbollistë të rinj që Lionel Messi i zgjodhi personalisht si talente me potencial të madh për të ardhmen.

Mes emrave të përzgjedhur ishte edhe Mika Godts, një njohje që e vendos 20-vjeçarin belg në elitën e brezit të ardhshëm të futbollit botëror.


Frymëzimi nga Jordan Henderson

Përveç Messit, Godts ka folur edhe për ndikimin e madh që kishte mbi të ish-kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson, gjatë qëndrimit të tij te Ajax:

“Kur Henderson vendosi të largohej, ishte për të ardhur keq. Ai ishte thelbësor për ne, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Mësova shumë nga loja dhe nga fjalët e tij. Këtë sezon dua të bëhem më i pamëshirshëm në fushë, të jem më vendimtar për skuadrën”, deklaroi ai.

Me bekimin e Messit, frymëzimin nga Henderson dhe rritjen e vazhdueshme në një klub që di të prodhojë yje, Mika Godts po ecën me shpejtësi drejt afirmimit të plotë në futbollin evropian. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com


telegrafi sport app