Shkupit nuk i ndihmoi as Çairi e as Shvercerat

Skuadra e Shkupit pësoi edhe një humbje të rëndë në këtë fillim sezoni, kësaj here në stadiumin e vet në Çair, ku u mund bindshëm nga Makedonija Gj.P me rezultat 0-2 në kuadër të javës së shtatë të elitës së futbollit vendor, njofton Telegrafi.
Që në minutën e katërt miqtë nga Gjorçe Petrovi shënuan me anë të Clinton Osei, ndërsa vetëm pak më vonë Simeon Hristovi e dyfishoi epërsinë nga penalltia. “Luanët” e mbyllën pjesën e parë me epërsi 0-2, e cila rezultoi vendimtare për fatin e ndeshjes.
Në pjesën e dytë Shkupi tentoi të reagojë, me kapitenin Muarremi që luftoi në çdo cep të fushës, por pa mbështetje nga bashkëlojtarët. Përveç dy rasteve më serioze, skuadra nga Çairi nuk arriti të kërcënojë realisht, ndërsa Makedonija Gj.P pati edhe disa mundësi për ta thelluar fitoren.
Me këtë triumf të tretë sezonal, Makedonija Gj.P forcon pozitën në mesin e tabelës, ndërsa Shkupi mbetet në fund, pa asnjë pikë të fituar pas shtatë javëve.
Në xhiron e ardhshme, Shkupi do të përballet në udhëtim me Arsimin, kurse Makedonija Gj.P udhëton drejt Kavadarit përballë Tikveshit. /Telegrafi/






















































