Shkon në dy numri i viktimave nga rasti tragjik në Majac, policia jep detaje të reja

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja në raportin 24-orësh lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në fshatin Majac të komunës së Podujevës.
Sipas informacioneve më të fundit nga policia sot rreth orës 03:35, njëra nga të plagosurat ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar.
Prokurori kompetent nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion, ndërsa rasti është ri-cilësuar si “Vrasje e Rëndë” dhe “Mbajtje në Pronësi, Kontroll ose Posedim të Paautorizuar të Armeve”.
Ndryshe policia ka theksuar se rasti ka ndodhur më 22 mars rreth orës 18:40, njësitë relevante policore kanë marrë informata se një person në një veturë ishte pa shenja jete.
Njësitë e hetimeve dhe forenzika menjëherë u angazhuan dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku u konstatua një automjet VW ngjyrë e bardhë me targa lokale, në pronësi të një mashkulli kosovar nga Obiliqi.
Personi mashkull i hasur në automjet ishte pa shenja jete, ndërsa trupi u tërhoq nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).
Referuar hetimeve intensive, policia ka bërë të ditur se dyshohet për një rast tjetër të rrezikshëm brenda një shtëpie, ku një person i gjinisë femërore posedonte armë zjarri dhe nuk pranonte të komunikojë me askënd, duke paraqitur rrezik për jetën e saj dhe të të tjerëve.
“Referuar situatës, janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtarët për ndërmjetësim, të cilët kanë intervenuar duke vendosur situatën nën kontroll”, thuhet në raportin e Policisë.
Gjatë ndërhyrjes, brenda shtëpisë u gjetën dy persona të gjinisë femërore me plagë të rënda, por me shenja jete. Ato morën trajtim mjekësor nga njësia emergjente dhe më pas u dërguan nën në qendrën spitalore.
Ndërkaq edhe nga SHSKUK-ja kanë bërë të ditur për Telegrafin se mbrëmë në orët e vona kanë pranuar dy paciente të lënduara nga arma e zjarrit, të sjella me autoambulancë nga Podujeva në Qendrën Emergjente të QKUK‑së.
Të dyja femrat – njëra e lindur në vitin 1953 dhe tjetra në vitin 1995 – janë pranuar në gjendje shumë të rëndë dhe jo stabile, ku u është asistuar frymëmarrja dhe janë intubuar pas ekzaminimeve emergjente.
Zëdhënësja e SHSKUK‑së, Mirlinda Qyqalla, ka bërë të ditur për Telegrafin se pas pranimit të lëndimeve, njëra prej pacienteve është dërguar menjëherë në sallën operative, ku ekipet e neurokirurgjisë dhe anestezionit vazhdojnë trajtimin intensiv.
"Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, pacientja e lindur në vitin 1953 ka ndërruar jetë në orën 03:00 pas mesnate, ndërsa gjendja e pacientes tjetër mbetet shumë e rëndë dhe nën kujdes intensiv mjekësor", u shpreh Qyqalla.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë. /Telegrafi/






















































