Site icon Telegrafi

Shkolla e vjetër e Mushnikovës drejt restaurimit, QRTK në Prizren finalizon projektin

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka njoftuar se stafi profesional është në fazën përfundimtare të hartimit të projektit restaurues për shkollën e vjetër të fshatit Mushnikovë.

Sipas QRTK-së bëhet fjalë për një ndërtesë me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore.

“Ky aset i trashëgimisë së mbrojtur ka shërbyer si vatër e dijes për breza të tërë, duke pasur një rol kyç në arsimimin e komunitetit vendas dhe të fshatrave përreth. Në këtë ndërtesë, nga viti 1972 u zhvillua mësimi në gjuhën shqipe deri në vitin 1992, kur regjimi serb ndaloi veprimtarinë arsimore në gjuhën shqipe dhe dëboi nxënësit dhe mësimdhënësit. Sot, ky projekt synon jo vetëm restaurimin arkitektonik të ndërtesës, por edhe ruajtjen e kujtesës historike që ai mbart”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Ndërkaq drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha ka bërë të ditur se arkitektja Nida Xhejlani-Kabashi, me përkushtim dhe profesionalizëm, po punon në finalizimin e këtij projekti.

“Kjo ndërtesë me rëndësi historike dhe edukative do të restaurohet gjatë këtij viti, duke i dhënë vëmendjen dhe trajtimin e duhur”, është shprehur Hoxha.

Në të njëjtën kohë, QRTK ka theksuar se me përfundimin e procedurave ligjore do të fillojë zbatimi i projektit, “duke siguruar mbrojtjen dhe funksionalizimin e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore”. /Telegrafi/

Exit mobile version