Shkëndija ka marrë fitore të rëndësishme në ndeshjen e mbetur të javës së katërt të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, duke triumfuar në udhëtim ndaj Rabotniçkit me rezultat minimal 0-1, njofton Telegrafi.

Takimi Rabotniçki – Shkëndija u zhvillua në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë FFM-së, ku tetovarët, edhe pse në një lojë me ritëm të ulët, siguruan tre pikë të arta.


Pjesa e parë u karakterizua me lojë të qetë dhe shumë ndërprerje, kryesisht për shkak të lodhjes së dukshme te të dy skuadrat, shkaku i motit të ngrohtë. Rabotniçki ishte më aktiv në minutat e para, por me kalimin e kohës Shkëndija mori iniciativën dhe filloi të rrezikojë më shumë.

Në fillim të pjesës së dytë, Enjang pati një mundësi për “romantikët”, ndërsa në minutën e 67-të Shkëndija gjeti golin e epërsisë me Fabrice Tamba, i cili shënoi pas një aksioni të bukur. Pas një kontrolli të gjatë me VAR, goli u pranua.



Rabotniçki kishte rastin ideal për barazim me të riun Trajkovi, por portieri Gaje reagoi mrekullisht duke i mohuar golin. Skuadra vendase shtoi presionin deri në fund, madje edhe në shtesë, por nuk arriti të shmangë humbjen.

Me këtë fitore, Shkëndija regjistron suksesin e pestë sezonal dhe ngjitet në kuotën e 17 pikëve, vetëm dy më pak se kryesuesit Struga dhe Vardari. Në anën tjetër, Rabotniçki mbetet në krizë me vetëm 4 pikë, duke u pozicionuar në vendin e parafundit. /Telegrafi/



Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app