LAJMI I FUNDIT:

“Shkamat” për gjamën e Kosovës

“Shkamat” për gjamën e Kosovës

Nga: Josif Papagjoni

Këto ditë në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan ndoqa dramën “Shkamat”, autor dhe regjisor Fadil Hysaj, produksion i etnoteatrit “Kukaj”. Shfaqja u luajt lart në sheshin e skenës me spektatorët që rrethonin vendin e veprimit. Por, tashmë të tilla zgjidhje nuk më bëjnë më përshtypje si dikur. Arsyeja pse më pëlqeu kjo shfaqje ishte loja dhe bri saj edhe teksti me trajtimin e vet regjisorial.


E theksoj loja, sepse ajo lipset të krijojë paktin e besimit të epërm te spektatori, i cili, në këtë rast, i gjendet shumë afër aktorit, thuajse e prek me dorë atë, bëhet pjesë e tij gati-gati fizikisht si të qe një “dekor” i gjallë, dhe i kërkon vetiu një vërtetësi maksimale, çiltërsi dhe natyrshmëri thuajse filmike. Aktori duhet t’i lërë mënjanë shumë “hile” të huajtura nga xhepat e zanatit dhe përvojës shumëvjeçare mbi skenë, nuk i shkojnë dot skemat, “spërdredhjet”, sado të latuara qofshin ato. Duhet të bëhet vetvetja. Por a bëhesh dot vallë?

Sheqerie Buqaj e mbërriti këtë cak fatlum. U bë vetvetja. U shkri me përjetimin e gjendjes së një gruaje të shastisur që kishte humbur djalin e vetëm shtatëvjeçar gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe, e kredhur shpesh e me shpesh në jermin që ia kaplonte mendjen e ronitur e të shkalafitur, jetonte me iluzionin, me fanitjet, halucinonte, qe mendjengulitur se djali ishte i gjallë dhe do të kthehej me në fund te nëna e vet plakë. Madje, ajo e merrte çdo herë në telefon, bisedonte me të, jetonte me të, vishej sipas përfytyrimit të tij kur ai qe i vogël… Pra, sendërgjonte një realitet të paqenë, mes ëndrrës dhe jermit, dhe kjo shënjonte në dramë një situatë të thukët dramatike. Sheqeria përhumbej aq shumë në situatën mendore e shpirtërore të kësaj nëne të shushatur e qyqane sa ne e harronim që ajo aktronte, që luante një rol; edhe ne futeshim në hallin e saj e na dukej sikur të qe një njeriu ynë i dhembshur.

Sheqeria e realizoi me cilësi të lartë aktrimi në tri çaste të rrepta, kur i pohonte të shoqit se djali qe gjallë ndaj dhe drithëronte krejt, klithte, i binte kokës me grushta, përplaste këmbët; kur i kundërvihej të tjerëve që djalin po ia sillnin si shtatore hekuri në shtëpi dhe ajo dyshonte, nuk besonte, nuk e donte të “hekurt”, përziente të gjallën me të vdekurën; dhe çasti i tretë kur kridhej në dëshpërimin e saj prej nëne të lënduar dhe e humbte krejt toruan në vuajtjen pa cak e lehtësim. Kjo ecejake e aktores nga normalja tek anormalja, nga fanitja dhe halucinativja te konkretja dhe e prekshmja, nga e vrullshmja dhe dinamikja tek e qeta dhe e thjeshta jepte gjasë që ne të kuptonim dhe preknim tragjedinë që kishte ndodhur në shpirtin e saj prej nëne kobzezë.

Ajo vdes në një sofër bujtëse, pritëse për djalin e vdekur dhe mikpritëse për një zhgan grabitësish dhe gënjeshtarësh, që idealin e luftës e kishin konvertuar në “psalme” rrenash politike e zhvatje. Aktorja nuk e bërtiti ndjenjen e saj, por e kishte gëlltitur krejt në vetvete, e kishte tretur në formën e një përjetimi natyral dhe e vuante herë në heshtjen ritualistike të saj e herë në shpërthimet e befta, në çmendurinë dhe psikoritmikën e lartë. Ajo i ndërthuri bukur dy kahet përjetuese të rolit të saj. Pikërisht te shastisja e saj, nga njëra anë dhe te veprimet në dukje të rëndomta, ritualistike sikur s’kishte ndodhur asgjë, nga ana tjetër, mu aty fshihej edhe dimensioni i tragjikes, fshihej mynxyra, thika e fatit dhe plaga e vetë Kosovës.

Ky është kontrapunkti, kjo është kundërshtia, prapthina, ajo që e kap shpirtin tonë në befasi, që e fut në kurthin e saj. Nuk është thjesht një kurth logjik, por një kurth që vjen nga përplasja dhe shkrirja njëherit në unifikimin ideoemocional të të rëndomtës me tragjiken, të të zakonshmes me të jashtëzakonshmen, të tmerrit të shtypur përbrenda psikikës nga vdekja e djalit prej milicëve serbë me veprimet rituale të një jete monotone, pa “ngjarje”, të bardhë, një ankth e pritje e zgjatur në një përditshmëri lodhëse që të plak.

Personazhi i dytë, Plaku apo Babai i Xhevdet Dodës. Një burrë i qetë, i përkujdesur ndaj traumës së të shoqes, dhe po njësoj i natyrshëm si ajo, me një vërtetësi që të imponohet. Aktori Doda edhe i blatonte shfaqjes një ton bisedor, sikundër fuqinë e komunikimit me spektatorin e gjendur fare pranë tij, duke krijuar premisat e kontrastit mes asaj që kishte ndodhur (vdekjes) dhe rrjedhës së përfytyruar të veprimit dramatik, pra ardhjes së përfaqësuesve të pushtetit, deputetit të zonës, kryetarit të pushtetit vendor e njerëz të tjerë të supozuar të politikës abuzive e korruptive. Loja e aktorit është po njësoj e stilit të bisedës shtëpiake, në dukje e thjeshtë dhe e “rëndomtë”, por që krijonte një velaturë emocionale të qëndrueshme, po ashtu njeriun fisnik e durimtar, në gjegje të kujdesit dhe traumës shpirtërore të partneres.

E lash enkas tekstin dhe regjinë e shfaqjes në fund. Rishtazi Fadil Hysaj dëshmohet si një regjisor me shije e risi, modern dhe i mëtimit për të elaboruar ide të vyera sociale e politike, por pa “zhurma” dhe gërthitje retorike, deklarative. Teksti ka një gjetje. Nuk e kam fjalën aspak për ndonjë cytje të mundshme që Hysaj mund të ketë marrë nga komedia brilante e Joneskos “Karriget”. Jo! Edhe këtu janë të tri personazhet e njohura të kësaj komedie: Plaku, Plaka, Mesazheri. Janë, mbase, edhe 40 karriget e kthyer në 40 skami, ndenjëse trikëmbëshe të shtëpive malësore shqiptare, pra shkama. Fadil Hysaj ka veç një cytje prej Joneskos, kurrgjë tjetër. Teksti, në të tërën e ligjërimit të tij, sidomos asaj çka na tregon dhe asaj çka ai kumton, është një tekst mirëfilli origjinal, është një tekst për Kosovën dhe plagët e saj të pambyllura që ende dhembin fort.

Pak a shumë unë e shpjegova këtë tekst. Nuk është i ndërlikuar. Ka fund e majë gjendjen traumatike të një nënë, me drejt të një çifti pleqsh, që kanë humbur fëmijën gjatë luftës. Gruaja e ka humbur toruan nga stresi i vdekjes së fëmijës, ecejaket mes vdekjes dhe jetës, memories së shkatërruar dhe fanitjeve, ndërsa Burri e rikthen atë dhe gjithçka tjetër rreth kësaj ndodhie, në të vërtetën e vet. Unë do doja që autori ta begatonte personazhin e nënës, por edhe të babait, pse jo dhe në bisedat e tyre, me disa kujtime të mbetura ndezur në mendjet e tyre mbi jetën e djalit të vdekur, posaçërisht të lumturisë që ai u kishte dhënë, çka do ta zhdërvjelltësonte edhe më shumë subjektin e veprës dhe do të kishte shmangur ndonjë përsëritje që vihet re në marrëdhënien e tyre.

Funksioni i dytë i personazhit të Plakut është shpotia, ironia dhe sarkazma ndaj politikës dhe politikanëve të paskrupullt, që pas lufte harruan idealet atdhetare dhe iu sulën tortës së shtetit, privilegjeve dhe vetë Kosovës me hajnitë e tyre, përdhosjen dhe vdjerrjen morale, si deputeti, kryetari i komunës etj. Ndërkaq Hysaj përdor si zgjidhje sa elementin tragjik me vdekjen e nënës plakë, aq dhe paradoksin, kur rituali politik butaforik dhe i rrejshëm sjell kinse djalin e vdekur në formën e një statuje, që është në fakt heroi i një fshati tjetër. Kjo “ngatërresë” e bën mjaft të hidhur sarkazmin duke krijuar premisën e akuzës sociale e morale ndaj abuzimeve dhe keqpërdorjes për efekte politike nga hijenat apo xhambazët e pushtetit, që u bëhet gjer dhe dëshmorëve të lirisë. Një nga gjërat që më pëlqeu te konceptimi i shfaqjes “Shkamat” qe ndërveprimi a interaksioni, ku të dy aktorët edhe pse flasin secili më vete duke imituar bisedat e hamendesuara me tjetrin (në mungesë fizike), gjithsesi nuk krijojnë rrëmujë dhe mbivendosje. Pra lejojnë që ajo çka është thelbesore te njëri të dëgjohet dhe rroket nga publiku dhe anasjelltas.

Dhe, në fund, zgjidhja është sa groteske, aq dhe domethënëse. Oratori që vjen, me ligjërimin e tij, krijon idenë e dërdëllitjes politike, një gërgamë njerëzish pa tru, fjalimesh pa thelb, andaj dhe në “gër-vërin” e tij futen vargëzime fjalësh të rëndomta, pa kuptim e banale. Madje-madje, në fund, ai buluret si kafshët dhe po si kafshë gëlltit kulaçin, çorbën, që tashmë konotohet si metafora e zullumit, e ndëshkimit, e vdekjes, e idiotësisë. Rrjedhimisht oratoria politike, pra mesazhi, fjala e shenjtë dhe përlëvduese ndaj luftës dhe therorive të saj shndërrohet në një butafori dhe idiotësi të neveritshme.

Mua gjithmonë më ka pëlqyer regjia e Fadil Hysajt. Ai është një artist i mençur, i shumë dimensioneve, një artist dijetar do të thosha dhe, sido që nuk tundohet fort nga flukset dhe “ondatat” e emocioneve dhe veprimeve të “mëdha”, as nga ato që vijnë prej ngjarjeve dhe trajtesave tragjike të “dukshme” saora, jo pa spekulacion artistik, në fjalë të fundit ai mbetet një qendistar idesh që godasin, njohës i formave konvencionale, po aq një tutor i palëkundur i marrëdhënieve shpirtërore të brishta e që duan kurime mendjeholla, sqimë formale, siç ka bërë edhe me dramën e tij të fundit “Shkamat”…