Shërbimi i Mjekësisë Fizikale në Spitalin e Gjakovës me volum të lartë shërbimesh gjatë vitit 2025

Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025, Shërbimi i Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim ka realizuar një volum të konsiderueshëm pune mjekësore dhe rehabilituese, duke ofruar shërbime të vazhdueshme për pacientët ambulantorë dhe të hospitalizuar.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 3,364 vizita specialistike, ndërsa 3,114 pacientë janë trajtuar nga mjekët fiziatër. Po ashtu, janë kryer 250 vizita nga mjeku sportiv.
Në fushën e diagnostikës dhe procedurave mjekësore, janë realizuar 91 ekzaminime me ultrazë diagnostike osteomuskulare, 269 procedura të elektrostimulimit të nervit facialis, si dhe 73 seanca të laseroterapisë.
Ndërkohë, në kuadër të fizioterapisë dhe rehabilitimit, janë zhvilluar 8,527 seanca të terapisë fizikale, si dhe 23,263 procedura terapeutike të veçanta, përfshirë elektroterapi, kineziterapi, magnetoterapi dhe metoda të tjera rehabilituese.
Nga Spitali i Gjakovës bëhet e ditur se ky raport pasqyron angazhimin profesional të stafit shëndetësor dhe vazhdimësinë e shërbimeve rehabilituese të ofruara për qytetarët gjatë gjithë vitit 2025. /Telegrafi/















































