Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, mbështetur nga United Hospital, ortopedi i njohur Cen Bytyqi foli mbi sëmundjet e sistemit muskulo-skeletor, sfidat bashkëkohore, ndikimin e mënyrës së jetesës, teknologjitë e reja në ortopedi dhe nevojën për avancim të trajtimit edhe në Kosovë.

Bytyqi theksoi se sëmundjet e sistemit osteomuskular, që përfshijnë kockat, muskujt, nyjat dhe ligamentet, ndahen në dy kategori: ortopedike dhe ato traumatologjike.


Ai thekson se traumatologjia është bërë gjithnjë e më e zakonshme për shkak të dinamikës moderne të jetës, me theks të veçantë në aksidentet rrugore, që çdo vit lëndohen rreth 15 milionë njerëz globalisht, nga të cilët gjysmë milioni humbin jetën për shkak të politraumave – lëndimeve të shumëfishta që përfshijnë sisteme jetike të trupit.

Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte ndikimi i mungesës së aktivitetit fizik. E në lidhje me këtë Bytyqi thekson një parim bazë të ortopedisë: “Jeta është lëvizje, lëvizja është jetë”.

Ai paralajmëron se jeta sedentare dëmton jo vetëm sistemin osteomuskular, por edhe organet e tjera si zemra dhe mushkëritë.

"Pa lëvizje, nyjat nuk riparohen dhe muskujt humbin forcën. Një ndër pasojat më serioze të kësaj mënyre jetese është osteoporoza, një sëmundje që lidhet me plakjen dhe mungesën e vitaminës D, duke çuar në fraktura të lehta, të quajtura fraktura patologjike", tha ai.

Në intervistë u diskutuan edhe faktorët gjenetikë që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve të kockave dhe nyjave.

Për më shumë ndiqni podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/