Në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë, një pjesë e konsiderueshme e rrugës është shembur, duke bllokuar qarkullimin për banorët e kësaj zone.

Dëmtimet në infrastrukturë janë të mëdha, ndërsa deri më tani nuk dihen ende shkaqet e sakta që kanë çuar në këtë rrëshqitje të dheut.


Si pasojë e këtij incidenti, është dëmtuar edhe rrjeti i energjisë elektrike dhe i ujësjellësit, çka ka bërë që furnizimi me këto dy shërbime ta “paralizojë” funksionimin normal të disa lagjeve në kryeqytet.

KOSTT dhe KRU Prishtina kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke tentuar që sa më parë të rikthehet gjendja në normalitet.

Ylber Isufi nga KRU Prishtina ka thënë për Telegrafin se janë duke punuar që sa më parë të rikthehet furnizimi i rregullt me ujë.



“Kjo që keni pa edhe ju dje nëpërmjet rrjeteve sociale, ashtu edhe na jena informuar që e kemi rrjedhjet të ujit në këtë pikë, si pasojë e shembjes së pilotëve apo gërmimit që u ba në këtë pjesën këtu. Ne si kompani kemi dalë dhe e kemi ndalë rrjetin e ujit, kjo është ndërprerja prej 24 orësh. Besoj që brenda orës veç që i kthehet gjendjes përparshme”, tha ai.

Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të inspektorëve të përfshirë në këtë rast, deri në përfundimin e hetimeve.

Ai ka bërë të ditur se është iniciuar edhe një hetim i brendshëm për të verifikuar punën e inspektimeve në terren, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë procedurat për zbardhjen e plotë të rastit.

Ndërkohë, ekipet emergjente tashmë kanë nisur ndërhyrjet në terren, ku po punohet për mbushjen e gropës dhe stabilizimin e zonës.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen në këtë pjesë, deri në rikthimin e plotë të gjendjes në normalitet. /Telegrafi/