Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë të ditur se gjatë mandatit të dytë të tij, rinia dhe sporti do të vazhdojnë të jenë ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale.

Në një postim në rrjetet sociale, Shehu ka njoftuar se komuna do të investojë rreth 130 mijë euro për ndërtimin e një fushe të hapur sportive në SHFMU “Edmond Hoxha” në Junik, projekt ky që do të realizohet sipas standardeve moderne dhe profesionale.


Po ashtu, Shehu ka paralajmëruar ndërtimin e një fushe tjetër sportive dhe një këndi lojërash për fëmijë në lagjen Berishë, me vlerë prej rreth 60 mijë eurosh.

“Këto hapësira do të jenë vendtakime të dashura për të rinjtë dhe fëmijët tanë. Të rinjtë janë prioriteti ynë, jo vetëm me fjalë, por me projekte konkrete, me ndershmëri dhe duar të pastra,” ka theksuar ai.

Kreu i Junikut ka përmbyllur mesazhin e tij me një thirrje për mbështetje në zgjedhjet e 12 tetorit, duke u shprehur i bindur në “fitoren pa balotazh”.