Shtetet e Bashkuara i kanë udhëzuar çdo ambasade dhe konsullate amerikane në të gjithë botën që të nisin fushata të koordinuara kundër propagandës së huaj dhe e mbështesin aplikacionin X të Elon Musk si një mjet “inovativ” për ta ndihmuar këtë.

Kabllogrami, i nënshkruar nga Sekretari i shtetit, Marco Rubio , dhe i siguruar nga Guardian, sugjeron gjithashtu që ambasadat dhe konsullatat të punojnë së bashku me njësinë e operacioneve psikologjike të ushtrisë amerikane për të adresuar problemin e dezinformimit të përhapur.


Ai përcakton një sërë udhëzimesh gjithëpërfshirëse se si stafi i ambasadave duhet të kundërshtojë atë që e përshkruan si përpjekje të koordinuara të huaja për të minuar interesat amerikane jashtë vendit.

Kjo vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë në luftë me Iranin, qeveria e të cilit ka operuar për dekada një nga aparatet shtetërore të dezinformimit më të sofistikuara në botë, dhe ndërsa operacionet e ndikimit rus dhe kinez vazhdojnë të synojnë aleatët amerikanë në të gjithë Evropën, Azinë dhe Amerikën Latine.

Kabllogrami i udhëzon këto ambasada dhe konsullata të ndjekin pesë qëllime të gjera: kundërshtimin e mesazheve armiqësore, zgjerimin e aksesit në informacion, ekspozimin e sjelljes kundërshtare, ngritjen e zërave vendas që mbështesin interesat amerikane dhe promovimin e asaj që quhet "tregimi i historisë së Amerikës".

Veçanërisht, kabllogrami u thotë zyrave diplomatike të koordinojnë punën e tyre me “Operacionet Psikologjike të Departamentit të Luftës” – njësia ushtarake e njohur më shpesh si Miso, ose Operacionet e Mbështetjes së Informacionit Ushtarak, më parë Psyop, e cila është pjesë e Pentagonit.

Ndryshe, nuk është e zakonshme që Departamenti i Shtetit të kombinojë hapur diplomacinë publike me operacionet psikologjike ushtarake.

Por përpjekje të ngjashme për të luftuar dezinformimin e huaj nuk janë të reja, megjithëse administratat e mëparshme e financuan atë përmes Qendrës së Angazhimit Global (GEC).

Raportohet se kabllogrami mbështet platformën X të Elon Musk me emër – konkretisht veçorinë e saj Community Notes – si një instrument “inovativ” dhe “të bazuar në burime të shumta” për të eliminuar dezinformimin në “luftimin e operacioneve propagandistike antiamerikane pa kompromentuar lirinë e fjalës ose privatësinë”. /Telegrafi/