Shahini: Prishtina po teston model të ri arsimor për nxënësit në epokën e AI

Nxënësit në Kosovë po rriten në një realitet ku inteligjenca artificiale dhe teknologjia digjitale janë pjesë e përditshme e jetës së tyre, prandaj sistemi arsimor duhet t’i përgatisë ata për ta kuptuar dhe përdorur këtë teknologji në mënyrë të përgjegjshme.
Kështu ka deklaruar Samir Shahini, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komuna e Prishtinës.
Duke folur në “Përballje Podcast”, Shahini theksoi se nxënësit sot janë të rrethuar vazhdimisht nga teknologjia dhe inteligjenca artificiale, por shpesh pa udhëzime të mjaftueshme se si ta përdorin atë në mënyrë kritike.
“Nxënësit tanë jetojnë çdo ditë me teknologji. Nëse ata kanë qasje në internet, tabela digjitale dhe platforma online, atëherë duhet t’i mësojmë edhe si ta kuptojnë inteligjencën artificiale dhe si ta filtrojnë përmbajtjen që konsumojnë”, tha Shahini shkruan Telegrafi.
Ai bëri të ditur se Prishtina ka nisur pilotimin e përfshirjes së temave që lidhen me inteligjencën artificiale dhe edukimin medial në shkolla, pa pritur vendime nga niveli qendror, duke e parë këtë si një domosdoshmëri për përgatitjen e nxënësve për të ardhmen digjitale.
- YouTube www.youtube.com
Sipas Shahinit, qëllimi i këtyre iniciativave është që nxënësit të mos jenë vetëm konsumues pasivë të teknologjisë, por përdorues të vetëdijshëm dhe kritikë, të aftë të dallojnë informacionin e saktë nga ai i manipuluar.
Ai shtoi se kryeqyteti synon të shërbejë si model për komunat e tjera në Kosovë, duke testuar praktika të reja arsimore që mund të shtrihen më pas në nivel vendi. /Telegrafi/






















































