Në rrugët e kryeqytetit sot u marshua nën thirrjet për barazi e mbrojtje të grave.

Me brohoritjet “Marshojmë, s’festojmë - njëra-tjetrën ne e mbrojmë”, Kolektivi “Marshojmë, s’festojmë” thirri në rrugët e Prishtinës për luftim të të gjitha llojeve të dhunës.


Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas - 8 Marsin, marshuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, u ndalën tek objekti i Policisë së Kosovës, për të vazhduar më pas te objekti i Qeverisë së Kosovës.

Sipas marshuesve, sistemi patriarkal po ndjehet në përditshmëri.

“Kjo dhunë që është e normalizuar ndjehet në përditshmëri, e si rezultat na kanë jep ndjesinë që duhet të revoltohemi e me luftu kundër këtij sistemi shtypës. Jemi mbledhur me e ditë tërë Kosova se ka rezistencë, që na përkundër shtypjes sistematike e rraskapitjes që e ndjejmë nga pozita që na është dhënë si grua. Prej vegjëlisë na imponohet me u formësua në një mënyrë qe i leverdisë patriarkatit, burrave. Na përçohet një mesazh që ne duhemi të ekzistojmë si verzioni më i imtë e i kufizuar i vetës. Mësohemi me marrë komente për trupin tonë, me u seksualizu e objektivizu duke qenë fëmijë”, tha njëra nga aktivistet.

Tutje ajo akuzoi Policinë e Kosovës për çdo mosraportim të rasteve të dhunës.

Ajo tha se të gjitha format e dhunës duhet të luftohen.

“Shumica në Kosovë mësohen me e duru dhunën prej personave që supozohen me na rrite... Në shkolle na mësojnë si shuhet zëri jonë, jo si fuqizohet. Abuzim që përjetohet në vende pune ku është e normalizuar me tu cenua dinjiteti dhe shteti ta kthen shpinën mbrapa kur ngrit zërin.. Në vend se abuzuesi të gjykohet në gjyq, gjykohet viktima e tij në ndërgjegje shoqërore. Po ua rikujtojmë Policisë se kanë faj për çdo mosreagim të dhjetëra rasteve të dhunës së raportuar. Ata vetë janë abuzues dhe shtyllë e fortë e këtij sistemi të pabarazisë në këtë shoqëri. Të gjitha këto forma të dhunës duhet të luftohen”, tha ajo. /KP/