E PLOTËSUAR – Rrugët që lidhin Serbinë me Kosovën përmes pikave kufitare në Jarinjë dhe Merdar janë liruar për qarkullim, pas bllokadave të mëhershme të shkaktuara nga qytetarë serbë.

Lajmin e ka bërë të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), e cila njoftoi se sipas informatave të fundit, rruga magjistrale që shpie nga Rashka drejt pikës kufitare në Jarinjë është zhbllokuar dhe tashmë është e hapur për qarkullim.


“Ju njoftojmë se sipas informatave, rruga që shpie nga magjistralja e Rashkës për në PKK Jarinjë është zhbllokuar dhe është liruar për qarkullim”, thuhet në njoftimin e QKMK-së.

Më herët gjatë ditës, QKMK kishte bërë të ditur se disa qytetarë të nacionalitetit serb kishin bllokuar magjistralen Rashkë–Jarinjë, duke e pamundësuar kalimin e automjeteve drejt Kosovës.

“Ju njoftojmë se, sipas informatave nga disa qytetarë, magjistralja në Rashkë në drejtim të Jarinjës është e bllokuar nga disa qytetarë serbë, si dhe është vërejtur më herët se qarkullimi i automjeteve në hyrje të RKS është shumë i vogël. Për çdo risi do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhej në njoftimin paraprak.

Bllokada të tilla nuk janë të pazakonta në këtë zonë.

Kujtojmë se më parë ka pasur raste të ngjashme edhe në pikën kufitare të Merdarës, ku qytetarë serbë kishin ndalur përkohësisht qarkullimin.

Këto veprime ndodhin në një kohë të tensionuar politike në Serbi, ku protestat qytetare vazhdojnë për të shprehur pakënaqësinë ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe reagimeve institucionale, sidomos pas incidenteve të fundit në qytetin e Novi Sadit./Telegrafi/