Impetigo - një infeksion i zakonshëm veror që përhapet lehtë në ujin e ndotur
Impetigo është një infeksion bakterial sipërfaqësor i lëkurës, që shfaqet më së shpeshti gjatë muajve të ngrohtë dhe shpesh lidhet me larjen në det apo lumenj të kontaminuar
Bakteret që e shkaktojnë - Staphylococcus aureus dhe Streptococcus pyogenes, futen përmes gërvishtjeve ose plagëve të vogla në lëkurë dhe përhapen me shpejtësi, veçanërisht kur nuk respektohen masat bazike të higjienës (CDC, 2023).
Ky infeksion prek më së shpeshti fëmijët e vegjël për shkak të lëkurës më të ndjeshme dhe imunitetit ende të papjekur. Nëse fëmijët prekin plagët me gishta të ndotur, ata mund të përhapin bakteret në zona të tjera të trupit ose te të tjerët përreth. Sipas Centers for Disease Control and Prevention, një nga rrugët më të zakonshme të përhapjes së streptokokut është nga rajoni perianal, ndërsa stafilokoku shpesh kolonizon zonën e hundës.
Infeksioni karakterizohet nga skuqje të lëkurës, flluska që shpërthejnë dhe krijojnë kore të verdhë ose ngjyrë mjalti. Impetigo zakonisht shfaqet rreth hundës dhe gojës, por mund të prekë edhe krahët, këmbët apo duart.
Rritja e temperaturës, lagështia dhe prania e sëmundjeve të lëkurës si ekzema janë faktorë që e lehtësojnë zhvillimin e baktereve. Studimet klinike kanë treguar se larja në ujë të ndotur fekalisht mund të rrisë incidencën e infeksioneve bakteriale të lëkurës, përfshirë impetigon (WHO Guidelines on Sanitation and Health, përcjell Telegrafi.
Edhe pse në shumicën e rasteve impetigo është i butë dhe kalon pa pasoja serioze, nëse plagët kruhen apo preken shpesh, mund të ndodhin komplikime. Në raste më të rralla, infeksioni mund të përhapet në gjak ose të shkaktojë inflamacion të veshkave, siç ndodh me glomerulonefritin post-streptokokal (Mayo Clinic, 2024). Kjo është arsyeja pse mjekët ndonjëherë rekomandojnë analiza të urinës për fëmijët e prekur.
Trajtimi zakonisht përfshin antibiotikë lokalë si mupirocina, ndërsa për rastet më të avancuara, përshkruhen antibiotikë oralë të grupit të penicilinave ose cefalosporinave. Sipas udhëzuesve të CDC, është e rëndësishme që koret e plagëve të mos hiqen me forcë, pasi kjo mund të përkeqësojë infeksionin dhe të shkaktojë përhapje.
Masat parandaluese janë thelbësore:
▪ Larja e rregullt e duarve me sapun dhe ujë të ngrohtë - e njohur si mënyra më efektive për të parandaluar infeksionet bakteriale sipërfaqësore (CDC, 2023).
▪ Pastrim dhe zierje e rrobave dhe peshqirëve - kjo ul rrezikun e riinfektimit dhe përhapjes në ambientet familjare.
▪ Mbajtja e thonjve të shkurtër dhe të pastër - veçanërisht tek fëmijët që kanë tendencë të gërvishtin lëkurën.
▪ Shmangia e ndarjes së sendeve personale - veçanërisht në ambiente kolektive si kopshtet, shkollat apo plazhet.
▪ Impetigo, edhe pse nuk është zakonisht një sëmundje e rrezikshme, kërkon trajtim të duhur dhe kontroll të rreptë të higjienës për të parandaluar përhapjen e tij. Siç thekson edhe World Health Organization, edukimi mbi higjienën dhe kontrolli i cilësisë së ujërave për rekreacion janë ndër mënyrat më efikase për të parandaluar shpërthimet e kësaj sëmundjeje gjatë verës. /Telegrafi/
































