Sarkozy i uron postin Sejdiut dhe premton përkrahjen e Francës

Në këtë telegram, të cilin presidentit Sejdiu ia ka përcjell shefja e Zyrës së Francës në Prishtinë, znj. Borione, presidenti francez Sarkozy, mes tjerash thotë se “në këtë periudhë shumë të rëndësishme për historinë e Kosovës, jam i bindur se do ta vazhdoni aksionin e filluar që nga shkurti i vitit 2006 për ta bërë Kosovën një shtet multietnik dhe të decentralizuar, në të cilin të gjitha komunitetet do të mund të jetojnë në paqe dhe në siguri”.
Sarkozy i ka premtuar Sejdiut se në etapën e re, në të cilën Kosova do të hyjë së shpejti, “ju mund të llogarisni në përkrahjen e Francës. Sfidat përpara jush janë të shumta: zhvillimi ekonomik dhe social, përgatitja e perspektivës evropiane, bashkëpunimi rajonal”.
Ndërkaq, në pranim të këtij telegram-urimi, presidenti Sejdiu theksoi se: “Institucionet dhe qytetarët e Kosovës janë shumë mirënjohës për ndihmën e pakursyer të Francës në të gjitha rrafshet, e veçanërisht në rrafshin diplomatik dhe ushtarak”.
Shefja e Zyrës së Francës në Kosovë, znj. Borione, ka thënë se ka ardhur koha që të hapet rruga dhe perspektiva e zhvillimit për Kosovën. “Po vjen një moment historik për Kosovën, moment për të cilin Franca ka punuar shumë. Është moment që bart në vete përgjegjësi të madhe dhe ne jemi shumë të kënaqur me sensin e maturisë dhe përkushtimit që është duke treguar lidershipi kosovar”.



















































