Samiti i Brdo-Brijonit, deklaratat e presidentes Osmani dhe akuzat se Vuçiq tentoi ta prishte takimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marr pjesë në Samitin e Brdo-Brijonit që kësaj here u mbajt në Durrës, ndërsa foli për sfidat dhe kërcënimet që përballet Kosova.
E para e shtetit të Kosovës tha se pavarësisht përpjekjeve për bashkëpunim rajonal, mbrojtja e interesave shtetërore, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mbetet prioritet kryesor.
“Ne asnjëherë nuk kemi sulmuar apo pushtuar askënd, por gjithmonë kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë vetveten,” deklaroi Osmani, duke nënvizuar se rreziku kryesor vjen nga Serbia.
Ajo bëri me dije se Kosova do të vazhdojë të fuqizojë ushtrinë e saj për të garantuar mbrojtjen e çdo centimetri të territorit.
“Rreziku vjen nga Serbia dhe ne do të vazhdojmë të fuqizojmë ushtrinë tonë me qëllim që të mbrohet çdo centimetër i territorit Kosovës”, tha Osmani, transmeton Telegrafi.
Presidentja theksoi edhe shqetësimet në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Edhe pse aplikacioni ynë për anëtarësim u dorëzua qysh në vitin 2022, deri tani për shkak të disa shteteve anëtare nuk është mandatuar Komisioni Evropian për të marrë në shqyrtim statusin e kandidatit për Kosovën,” tha ajo.
Osmani shtoi se ky proces nuk po bazohet në merita, por në zhvillime politike dhe konsiderata vetanake që shtetet anëtare herë pas here i marrin parasysh për të shtyrë apo përkthyer procesin.
“Po të ishte bazuar në merita, Kosova, si reformatorja numër një jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe numër tre në botë, do të ishte shumë afër anëtarësimit, por fatkeqësisht zhvillimet politike në disa shtete anëtare po e bllokojnë këtë,” shtoi ajo.
Osmani akuzoi Vuçiqin se tentoi ta prishte takimin e Bërdo-Brionit në Tiranë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se tentoi “të prishte takimin” e Bërdo-Brionit që u mbajt në Durrës, por shtoi se në fund udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor me unanimitet miratuan një deklaratë të përbashkët të samitit.
Pas samitit, Osmani tha për transmetuesin publik shqiptar se Vuçiq, iu drejtua samitit me “ofendime dhe arrogancë”.
“...natyrisht që për çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumente në anën e së drejtës dhe argumente të cilat janë fuqizuar e mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare, nëpërmjet mendimeve të GJND-së”, tha Osmani, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që vendosi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk ishte shkelur ligjin ndërkombëtar.
Gjatë samitit, sipas Osmanit, Vuçiq u ankua edhe për marrëveshjen në fushën e mbrojtjes që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë arritur në mars të këtij viti.
“Ai [Vuçiq] mori rikonfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë dhe përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar askënd, s’e kemi pushtuar askënd, por gjithmonë e kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë integritetin tonë territorial. Aleanca tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Për Kosovën, rreziku na vjen nga Serbia kështu që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë”, tha Osmani. /Telegrafi/



















































