Salah dhe Van Dijk nuk i mbajnë të qeshurat nga fjalët që i tha Declan Rice

Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk i bënë tifozët të qeshnin me reagimin e tyre pas deklaratave të mesfushorit të Arsenalit, Declan Rice, gjatë ceremonisë së Çmimeve PFA, të mbajtur në Shtëpinë e Operas në Mançester.
Rice foli për rrugëtimin e Arsenalit në Premier League dhe vështirësitë për të thyer dominimin e Manchester Cityt vitet e fundit. “Ka qenë shumë e vështirë të jesh i dyti për tre vjet radhazi”, tha ai. “Por, siç e kam theksuar edhe më parë, në jetë duhet të kalosh disa humbje të vogla për të arritur te fitorja”.
Në momentin kur Rice përmendi vendet e dyta dhe “humbjet e vogla”, kamerat kapën Salah duke i hedhur një vështrim plot humor shokut të skuadrës, Van Dijk. Dyshja e Liverpoolit shpërthyen në buzëqeshje, duke bërë që skena të bëhej një nga momentet më të komentuara të mbrëmjes.
Arsenali ka përfunduar dy herë radhazi nënkampion pas Manchester Cityt (2022 dhe 2023), ndërsa në sezonin 2024 pritej të rrëmbente më në fund titullin. Megjithatë, Liverpooli i Arne Slot befasoi të gjithë, duke e lënë ekipin londinez sërish në vendin e dytë.
Këtë sezon, Salah dhe Van Dijk shpresojnë që historia të përsëritet, ndërsa Rice beson se më në fund ka ardhur momenti i Arsenalit për të marrë kurorën e kampionit.
Në formacionin ideal të PFA-së, Liverpooli pati pesë lojtarë, ndërsa Arsenali ishte i dyti me tre përfaqësues. Gjithashtu, nga Nottingham Forest u përfshinë Chris Wood dhe Matz Sels, ndërsa sulmuesi i Newcastle, Alexander Isak, nuk mori pjesë për shkak të sagës së tij të pazgjidhur të transferimit te “Reds”. /Telegrafi/


















































