Ndërsa pritet një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen e Iranit në Kupën e Botës 2026, janë publikuar detajet mbi gjobën dhe humbjet financiare që do të pësojë federata iraniane në rast të tërheqjes nga turneu i organizuar nga Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja.

Presidenti i Shoqatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, konfirmoi se anulimi i pjesëmarrjes është një mundësi reale.


Në këtë rast, vendi mund të zëvendësohet nga Iraku, që humbi ndeshjen ndërkontinentale dhe u rendit më lart ndër ekipet aziatike të mos-kualifikuara, ose nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat përfunduan pas Iranit në grup.

Sipas rregullave të FIFA-s, nëse Irani tërhiqet brenda muajit të fundit para fillimit të garës, do të duhet të paguajë një gjobë prej 642,000 dollarësh (rreth 535,000 euro).

Nëse vendimi merret më përpara, gjoba bie në 276,000 dollarë.

Përveç gjobës, federata iraniane do të humbasë edhe të ardhurat nga pjesëmarrja: rreth 10.5 milionë dollarë (9.05 milionë euro), që përfshin shpërblimin standard të FIFA-s për fazën e grupeve (7.76 milionë euro) dhe 1.3 milionë euro shtesë për kostot e përgatitjes.

Ky lajm vjen në një kohë tensioni të madh, pas sulmit të fundit ushtarak ndaj Iranit, që ka bërë që federata të shqyrtojë seriozisht mundësinë e tërheqjes nga turneu. /Telegrafi/

telegrafi sport app