Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka dhënë sot betimin zyrtar për të nisur mandatin e tij të dytë në krye të komunës. Ceremonia solemne u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal, në prani të përfaqësuesve institucionalë, të ftuarve dhe qytetarëve.

Shehu rifitoi drejtimin e komunës në raundin e balotazhit, duke siguruar besimin e shumicës së votuesve. Bashkë me të, edhe anëtarët e rinj të Asamblesë Komunale dhanë betimin, duke zyrtarizuar fillimin e mandatit të tyre si përfaqësues të Kuvendit.


Në fjalën e tij, kryetari Shehu u zotua për vazhdimësi në punë, transparencë dhe llogaridhënie. Ai theksoi se mandatin e dytë do ta udhëheqë në shërbim të interesit publik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të komunës.

“Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për Junikun, duke ruajtur vlerat tona dhe sjellë zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët”, deklaroi Shehu.

Ceremonia u përmbyll me një koktej rasti, duke krijuar atmosferë festive për nisjen e kapitullit të ri qeverisës në Komunën e Junikut. /Telegrafi/