"Rusia po na teston", Danimarka për herë të parë konfirmon se dronët në qiellin e saj ishin rusë

Rusia po zhvillon një luftë hibride kundër Danimarkës dhe Evropës.
Kështu tha drejtori i i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake Daneze (FE) Thomas Ahrenkiel, në një konferencë për shtyp me Ministrin danez të Mbrojtjes Troels Lund Poulsen.
Sipas tij, Rusia po përdor mjete ushtarake dhe po ushtron presion agresiv, por pa tejkaluar kufijtë e konfliktit të armatosur në kuptimin tradicional.
Ahrenkiel dha më pas disa shembuj specifikë: "Anija zbarkuese ruse që ishte ankoruar së fundmi në ujërat ndërkombëtare në jug të ishullit danez Langeland ishte ndoshta e gatshme të ndërhynte nëse do të përpiqeshim të pengonim një anije ruse nga 'flota në hije' të lundronte lirisht."
Kjo është anija Aleksandar Sabalin, e cila ishte ankoruar për ditë të tëra pranë bregdetit danez me sistemin e identifikimit të fikur, derisa gazetarët e gazetës së përditshme daneze Ekstra Bladet e panë nga një helikopter dhe e nxitën të lëvizte, shkruajnë mediat e huaja.
"Gjithashtu patëm disa raste të anijeve luftarake ruse që lundronin në një kurs përplasjeje me anijet tona luftarake, ndërsa po monitoronim lëvizjen e anijeve tregtare ruse përmes ngushticave daneze. Po kështu, helikopterët dhe anijet e marinës sonë u vunë në shënjestër nga radarët e ndjekjes së objektivave dhe armët u drejtuan drejt tyre nga anijet luftarake ruse", shpjegoi drejtori i FE-së, Ahrenkiel.
Inteligjenca ushtarake daneze ka regjistruar gjithashtu se anijet luftarake ruse po lundrojnë në ngushticat daneze me sonar dhe pajisje bllokimi dhe në të paktën një rast ato ka shumë të ngjarë të kenë bllokuar sinjalet dhe të kenë shkaktuar ndërprerje të gjera të GPS-it në Danimarkë.
Ndryshe, anijet tregtare ruse ishin në qendër të vëmendjes javën e kaluar kur dronë të paidentifikuar u shfaqën mbi gjashtë aeroporte dhe baza ushtarake daneze.
Autoritetet daneze dyshojnë se dronët u ngritën nga anijet ruse që lundronin nëpër ujërat territoriale daneze drejt porteve të tyre baltike të Kaliningradit dhe Shën Petersburgut.
"Rusia ka futur qëllimisht dronë në hapësirën ajrore evropiane për të na testuar. Ajo dëshiron t'i demonstrojë fuqi ushtarake Perëndimit. Rusët duan që ne të besojmë se ekziston një kërcënim i afërt lufte. Ata madje thonë publikisht se janë në luftë me Perëndimin. Kjo është pjesë e luftës së informacionit të Rusisë kundër nesh", tha drejtori i FE.
Megjithatë, megjithëse dëshiron të shfrytëzojë frikën dhe të krijojë mosmarrëveshje, Rusia nuk dëshiron një konflikt të armatosur të drejtpërdrejtë me Danimarkën, vlerëson Ahrenkiel: "Një konflikt i armatosur është shumë i rrezikshëm për Rusinë. Ne besojmë se Rusia nuk do të kryejë një sulm ushtarak konvencional, por po armatoset në mënyrë që përfundimisht të zhvillojë një luftë kundër NATO-s më vonë."
Një zyrtar i inteligjencës daneze përmendi gjithashtu se hakerat pro-rusë sulmuan infrastrukturën ujore të Danimarkës, duke rezultuar në shpërthimin e tubave të ujit.
Ai tha se shërbimet daneze pësojnë 6,000 sulme hakerash në orë.
"Ka të ngjarë që Rusia të ketë arritur në përfundimin se mund t'i përdorë këto instrumente pa rrezikun e përshkallëzimit ose hakmarrjes. Ka gjithashtu të ngjarë që ajo të besojë se vendet e NATO-s qëndrojnë pas aktiviteteve të ngjashme të drejtuara kundër Rusisë", përfundoi Ahrenkiel. /Telegrafi/

















































