Ruby Rose ka shpërthyer ndaj Sydney Sweeney-t me një reagim të ashpër në rrjete sociale, duke e akuzuar hapur për paragjykim ndaj komunitetit LGBT dhe për interpretim të dobët në filmin biografik Christy.

Aktorja e “Orange Is The New Black”, 39 vjeçe, shkroi në “Threads” se ishte zgjedhur fillimisht për të luajtur rolin e boksieres Christy Martin, por më vonë u zëvendësua nga ylli i “Euphoria”-s.


Ruby tha se versioni origjinal i filmit kishte një kast kryesisht queer dhe se historia “kishte shpirt” — diçka që sipas saj u zhduk me ndryshimet e reja, shkruan DailyMail.

“Skenari i parë më ndryshoi jetën”, – shkroi ajo. “Por tani, me Sydney, gjithçka është bërë sipërfaqësore. Ajo e shkatërroi filmin. Christy meritonte më mirë. Askush nuk do të shohë dikë që shtiret se është si ne, ndërkohë që na urren”.

Filmi Christy, që tregon historinë e boksieres së famshme amerikane që u përball me dhunë në familje dhe më pas pranoi publikisht se ishte homoseksuale, u publikua fundjavën e kaluar, por nuk pati sukses në kinema.

Ironikisht, vetë Christy Martin ka mbështetur publikisht Sweeney-n dhe e ka shoqëruar në disa prezantime të filmit, duke e përgëzuar për punën e bërë.

Sulmet ndaj aktores vijnë në një moment kur ajo është përballur me shumë polemika për bindjet e saj republikane dhe qëndrimin e rezervuar ndaj temave politike në Hollywood.

Në intervistat për filmin, Sydney tha se roli i dha forcë dhe e ndihmoi të kuptonte “çfarë do të thotë të luftosh për veten”, duke e quajtur eksperiencën “një udhëtim personal shumë i fuqishëm”. /Telegrafi/

Ruby Rose