Rryma nuk është shtrenjtuar, por përse po vijnë faturat e larta?
Kjo ndodhë kryekëput për shkak se qytetarët në muajt janar e shkurt - që janë edhe muajt me temperaturat më të ulëta të vitit - konsumojnë më së shumti energjinë elektrike. Arsyeja përse ndodhë kjo është për shkak se, në kundërshtim me praktikat e vendeve të tjera, në Kosovë ka shumë amvisëri dhe biznese që përdorin energjinë elektrike për t’u ngrohur.
Që në fillim duhet sqaruar – nuk ka pasur rritje të çmimit të rrymës elektrike muajve të fundit, as nuk ka pasur ndonjë ndryshim të praktikave të faturimit krahasuar me vitet e mëparshme. Pse atëherë disa qytetarë po ankohen se i kanë ardhur faturat e larta? Në fakt, duhet pranuar, një reagim të këtillë e kemi parë të ndodhë pa përjashtim secilin fund janari, së paku në 10 vjetët e fundit.
Kjo ndodhë kryekëput për shkak se qytetarët në muajt janar e shkurt - që janë edhe muajt me temperaturat më të ulëta të vitit - konsumojnë më së shumti energjinë elektrike. Nëse numërohen kilovatët e një amvisërie të shpenzuar përgjatë këtyre dy muajve dhe krahasohen me, për shembull, kilovatët e shpenzuar me muajin maj e qershor, matematikisht do të shihet se ka shpenzim disa fish më të lartë.
Arsyeja përse ndodhë kjo është për shkak se, në kundërshtim me praktikat e vendeve të tjera, në Kosovë ka shumë amvisëri dhe biznese që përdorin energjinë elektrike për t’u ngrohur. Siç e dimë, edhe këtë vit, muaji janar ka qenë shumë më i ftoftë se muaji dhjetor, me temperatura që kanë shkuar deri në minus 20 gradë celsius.
Shto këtu edhe festat e fundvitit, kur njerëzit kanë më shumë pajisje elektrike në shfrytëzim si dhe periudhën që pason kur njerëzit kalojnë më shumë kohë brenda objekteve, të gjitha këto ndikojnë në shfrytëzim më të madh të energjisë.
Në anën tjetër, siç është praktika e përhershme, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) nga muaji tetor e deri në muajin mars vë në funksion periudhën e tarifave dimërore, kur llogaritet më shtrenjtë energjia e shpenzuar.
Natyrisht, kjo kthehet prapë në të vjetrën, nga muaji prill, kur fillon njehsimi sipas tarifave verore. Logjika prapa këtij hapi strategjik nga ZRrE-ja, si agjenci e pavarur shtetërore, është fisnike, meqë niset nga premisa e kursimit të energjisë.
Pra, që konsumatorët ta kuptojnë se të ngrohesh me rrymë nënkupton shpenzim të shtuar të energjisë elektrike, që rrezikon edhe tejshpenzimin dhe mungesën e energjisë, në mënyrë që të orientohen në alternativa të tjera për ngrohje. Marrë parasysh të gjithë këta faktorë, është krejt e logjikshme që në muajt më të ftohtë të vitit dhe në muajt kur është në funksion tarifa dimërore, do të vijnë fatura më të larta për ata që ngrohen me aparate me konsum të energjisë elektrike. Por, nuk është e vërtetë që në dhjetor ose janar është rritur çmimi i energjisë elektrike. Ka edhe një kalkulim tjetër të thjeshtë këtu.
Ne në KEDS e dimë se sa energji elektrike kemi kaluar nëpër rrjet për nevoja të konsumatorëve në secilin muaj. Ne saktësisht mund ta dëshmojmë se qytetarët kanë konsumuar më shumë energji elektrike në muajin dhjetor se sa në muajin nëntor, njësoj siç mund të dëshmojmë se qytetarët kanë konsumuar më shumë energji elektrike në muajin janar se sa në muajin dhjetor.
Nëse llogarisim këtu sjelljet e konsumatorëve të energjisë elektrike nga festat e fundvitit e përgjatë gjithë janarit, secili individ mund të llogarisë se ka konsum më të madh të energjisë elektrike, sidomos të ata që ngrohen me rrymë dhe rrjedhimisht do të iu faturohet çmimi real për këtë konsum.
Si të dalim të gjithë të kënaqur nga kjo situatë? Besoj se zgjidhja është te edukimi i konsumatorëve rreth shpenzimit të energjisë elektrike. Një mundësi për kursim e menduar nga rregullatori është shfrytëzimi i energjisë gjatë orëve kur aplikohet tarifa e lirë, e cila gjatë sezonit të dimrit fillon nga ora 22 deri në 7 të mëngjesit.
E qartë, dikush mund të thotë se ngrohja i duhet gjatë ditës dhe jo gjatë natës, kur bihet në gjumë, mirëpo gjatë natës mund të kryhen shumë operacione të tjera, si larja e rrobave, ngrohja e bojlerëve për pastrim, larja e enëve në enëlarëse e të tjera të ngjashme. Dhe në rastin ideal, të synohet sa më parë t’i përqafojmë praktikat evropiane, që të mos e shfrytëzojmë energjinë elektrike si alternativë të vetme për ngrohje. Përndryshe, mesatarja e faturës për një amvisëri përgjatë një viti kalendarik është 26 euro, që është nën nivelin e shumicës së shteteve të rajonit. (Autori është zëdhënës i KEDS-it)




















































