Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, u shpreh se vendimet e marra nga Qeveria në detyrë këtë të premte, janë vendimet ad-hoc për çka bizneset janë të shqetësuara.

“Nuk parashihet se nga do të vijnë të hyrat për rritjen e shtesave, pensioneve dhe jemi të frikësuar se gjatë natës do të marrin ndonjë vendim për rritjen e tatimeve dhe për këtë janë të shqetësuara bizneset për të gjitha këto vendime ad-hoc”, tha Rafuna.


Megjithatë, Rafuna i ftuar në “FIVE” në TV Dukagjini, u shpreh se OEK-u e mbështetë rritjen e pagës minimale por që sipas tij do të duhej të konsultoheshin paraprakisht.

“Nuk është bërë në konsultim me partnerët e bizneseve, ne e kemi marrë një ftesë para dy ditëve ndërsa jemi thirrë për në ora 10:00 ditën e djeshme dhe e gjithë kjo ka qenë një kalim i formalisht se për legjitimuar të drejtën e ministrit në detyrë të financave për të bërë një propozim të pagës minimale – kjo nuk bëhet ashtu. Ne do të duhej të bisedonim me bizneset për rritjen e pagës minimale. Po ashtu dua të qartësoj se Oda Ekonomike e Kosovës nuk është kundër rritjes së pagës minimale mirëpo duhet të jetë një proces transparent dhe i studiuar mirë në mënyrë që vendimi të mos dëmtojë asnjë palë pastaj. Duhet të na jepet mundësia që ne të shkojmë me propozime e kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur”, tha Rafuna.

Rafuna, mes tjerash, u shpreh se ka edhe dy muaj kohë për konstultime e ndryshim të vendimit për rritjen e pagës minimale.

“Paga minimale të fillojë nga 1 janari por kemi shumë probleme ligjore e procedurale e probleme materiale. Ka shumë pikëpyetje dhe në çdo hap është bërë nga një shkelje ligjore dhe jam i bindur se do të anulohet nga Gjykata. Ka kohë dy muaj që të ndryshohet dhe të sillet në baza ligjore”, u shpreh Rafuna.

Nga ana tjetër, vendimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës për buxhetin e ri dhe rritjen e pagës minimale e pensionit dhe beneficioneve, do të kenë pasoja të shumta për qëndrueshmërinë financiare të Kosovës, thotë Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Bektashi tha, gjithashtu, se ky buxhet nuk është edhe aq i madh, dhe e vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimeve të ndërmarra nga një Qeveri në detyrë.

Ai vlerëson se vendimet për rritjen e pagës minimale, pensionit bazik dhe shtesave të fëmijëve janë “populliste”.

Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka cilësuar të kundërligjshme dhe elektorale vendimet e Qeverisë në detyrë për projektbuxhetin dhe për rritje të pagave, pensioneve apo shtesave për kategori të caktuara.

Sipas IKD-së, zyrtarët që kanë marrë vendimet sot kanë kryer vepër penale, që është e dënueshme nga një deri në tetë vjet burgim.

Në një komunikatë për media, IKD-ja ka thënë se vendimet janë marrë nga një përbërje e qeverisë që sipas Gjykatës Supreme është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjet.

IKD-ja ka thënë nuk është kundër rritjes së pagave, pensioneve apo shtesave, por sipas saj vendimet janë miratuar në kohë të zgjedhjeve.