LAJMI I FUNDIT:

Rritja e dhunës ndaj politikanëve është sulm ndaj vetë demokracisë

Rritja e dhunës ndaj politikanëve është sulm ndaj vetë demokracisë

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Ishte dinjitoz dhe shumë njerëzor reagimi i kryeministres së qendrës së majtë të Danimarkës, Mette Frederiksen, ndaj sulmit fizik në një rrugë të Kopenhagës. “Nuk jam duke bërë më të mirën dhe ende nuk jam vetvetja”, pranoi ajo në javën e kaluar. Tha se sulmi, në të cilin i shpëtoi lëndimit të rëndë, e kishte bërë të ndihej e tronditur dhe e frikësuar.


Frederiksen sugjeroi se përvoja e saj ishte kulmi i disa tendencave gjerësisht të njohura: kërcënimet e përhapura në media sociale, ligjërimi gjithnjë e më agresiv politik, lufta përçarëse në Lindjen e Mesme. “Si qenie njerëzore, ndihet si sulm ndaj meje. Por, nuk kam dyshime se ishte kryeministrja ajo që u godit. Në këtë mënyrë bëhet sulm ndaj të gjithë neve”.

Nga shumë prova mbështetet ideja se politikanët e zgjedhur – dhe demokracitë që përfaqësojnë – janë kudo të rrezikuar nga rritja e dhunës së personalizuar.

Me afrimin e shpejtë të zgjedhjeve të diskutueshme në Francë, në Britani të Madhe dhe në ShBA, duket shumë e mundshme se do të ketë më shumë zemërime dhe më shumë viktima – disa ndoshta nga profili i lartë. Shkaqet rrënjësore të këtij fenomeni përfshijnë zemërimin dhe mosbesimin ndaj “elitës qeverisëse”, polarizimin e qëllimshëm dhe nxitjen e frikës, racizmin anti-migrim, fanatizmin sektar, brengën ekonomike dhe provokimet dixhitale nga akterët malinj të shtetit. Megjithatë, nuk ka asnjë model të qartë. Dhuna politike, kryesisht e rastësishme, vjen nga e djathta dhe nga e majta.

Robert Fico, kryeministri i djathtë populist i Sllovakisë, u qëllua disa herë muajin e kaluar dhe pati fatin të mbijetojë. Ai beson se u sulmua për shkak të pikëpamjeve që ka, ndërsa fajëson ndikimin e kundërshtarëve politikë në të majtën. “Është e qartë se ai [sulmuesi i Ficos] ishte vetëm një lajmëtar i së keqes dhe i urrejtjes politike”, tha ai.

Në Gjermani, shkelmi është në këmbën tjetër – kjo pas një serie të sulmeve nga banditët e ekstremit të djathtë, të cilët ta kujtojnë epokën naziste. Në maj, deputeti socialdemokrat, Matthias Ecke, u rrah brutalisht në Dresden. Në të njëjtën mbrëmje në qytet, gjithashtu u sulmua një aktivist i partisë së Gjelbër.

Vrasja famëkeqe e vitit 2019 e Walter Lübckes, e politikanit centrist nga një neo-nazist, tani duket si pikë kthese. Që atëherë, sulmet janë dyfishuar në Gjermani. Shifrat e përkohshme flasin për 234 sulme fizike në vitin e kaluar ndaj politikanëve dhe aktivistëve politikë. “Po përjetojmë përshkallëzim të dhunës antidemokratike”, tha ministrja e Brendshme, Nancy Faeser.

Është e lehtë të fajësohen politikat përçarëse dhe retorika e partisë në rritje e ekstremit të djathtë të Gjermanisë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), dhe këtë shumëkush e bën. Por, anëtarët e AfD-së pësuan sulme të dhunshme kriminale në vitin 2023, më shumë se çdo parti tjetër, kryesisht nga njerëzit me ideologji të majtë. Të Gjelbrit ishin viktimat e dyta më të mëdha.

Është lojë e madhe politike vendimi i javës së kaluar i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të sfiduar të djathtën ekstreme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të zhvillohen në dy raunde më 30 qershor dhe 7 korrik. Por, mund të dëshmojë gjithashtu një bast personal. Macroni u sulmua me vezë, me domate dhe perime të ndryshme në fushatat e mëparshme. Në vitin 2021 ia futën një shuplakë në fytyrë.

Në klimën aktuale, janë të dukshme rreziqet e mundshme për sigurinë e tij dhe të politikanëve të tjerë francezë, por është e vështirë për t’u mbrojtur. “Dhuna e ekstremit të djathtë – e motivuar nga nacionalizmi dhe autoritarizmi – është në rritje në Francë”, paralajmëroi eksperti i ekstremizmit në Universitetin e Oslos, Anders Ravik Jupskas, në një shkrim në Le Monde.

Ashtu si politikanët demokratë diku tjetër, Macroni jopopullor e vë jetën e vet në rrezik kur bën udhëtime elektorale. Është ashiqare e rrezikshme dhe kjo ngre dilemat themelore se për sa kohë realisht mund të vazhdojë ky stil i politikës ballë-për-ballë. Vlen të përmendet se liderët autoritarë si Vladimir Putini i Rusisë, teksa pretendojnë se janë të popullarizuar, rrallëherë e ekspozojnë veten para publikut në këtë mënyrë.

Shqetësimet e ngjashme po rriten në Britani, ku ende janë të freskëta kujtimet e vrasjeve – që nuk lidhen njëra me tjetrën, nga ana e ekstremistëve – të deputetes laburiste Jo Cox dhe deputetit konservator David Amess. Javën e kaluar, Fondacioni Jo Cox u bashkua në dënimin e dy sulmeve ndaj kreut të partisë së ekstremit të djathtë të Reformës së Mbretërinë e Bashkuar, Nigel Farage – një me një milkshejk dhe një tjetër me tas.

Kush e di se çfarë mund të hidhet më pas dhe ndaj kujt? Ekziston tendenca midis anglezëve më të pamend, për t’i parë episodet e tilla si goditje të padëmshme. Ky qëndrim daton të paktën në zgjedhjet e vitit 1970, kur kryeministri laburist Harold Wilson u qëllua vazhdimisht me vezë në mbledhjet publike – për argëtimin e përgjithshëm të një kombi mosrespektues.

Politika britanike është më pak e pafajshme dhe më e rrezikshme këto ditë. Kandidatja laburiste Rosie Duffield, javën e kaluar zbuloi se shpenzoi dy mijë funte nga paratë e veta, për truprojat, pasi kishte marrë kërcënimet me vdekje. Tani ajo është tërhequr nga takimet lokale. Shqetësimet e veçanta rrethojnë sigurinë e grave politikane, siç është e shumëpërfolura Diane Abbott. Megjithatë, zakonisht nuk ofrohet mbrojtja individuale për sigurinë.

Në këtë kontekst alarmues, duken të parëndësishme përpjekjet e ngatërruara të ministrit konservator, Michael Gove, për të përcaktuar dhe ndaluar ekstremizmin mes rrëkeve të dridhjeve publike mbi Gazën. Pyetja më urgjente, për shembull, është se sa mirë është i mbrojtur nga dhuna politike joterroriste e krahut të djathtë, Keir Starme – kryeministri i mundshëm i ardhshëm i Britanisë?

Debati vazhdon nëse dhuna politike buron kryesisht nga e djathta ekstreme apo nga e majta. Në një farë aspekti, kjo çështje është për studime. Shqetësim i menjëhershëm është fakti se kudo në botën demokratike, ose kështu së paku duket, politika konvencionale rrezikohet të zhytet nën peshën e dhunës – verbale, virtuale, dixhitale dhe fizike. Mbrojtjet duken të pakta deri në inekzistente.

Duke pasur parasysh rolin e Amerikës si paradigmë demokratike pas vitit 1945, ringjallja e mundshme në vjeshtë e Donald Trumpit – e njeriut i cili çdo ditë e normalizon dhunën – mund ta përkeqësojë më shumë këtë problem. Përdorimi i pushtetit shtetëror si armë, nga Trumpi, është në mënyrë të njëjtë gërryes i besimit, tolerancës dhe ndryshimit paqësor.

Megjithatë, shumica e qeverive janë thellësisht të konfliktuara. Ashtu si homologu i tij amerikan, shteti britanik – në shtypjen e grevës së minatorëve të viteve 1984-1985, protestave për luftën në Irak dhe Gazë dhe aktivizmin mjedisor – shpeshherë është shfaqur më i mirë në ushtrimin e dhunës politike mbi njerëzit e zakonshëm sesa në mbrojtjen e tyre prej saj. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Ligji për pagën minimale, Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Qeverisë

Ligji për pagën minimale, Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Qeverisë

Drejtësi
Stano tha se Kosova nuk e njoftoi BE-në me raport për sulmin në Banjskë, ambasadori Bajrami ia përmend të gjitha me data

Stano tha se Kosova nuk e njoftoi BE-në me raport për sulmin në Banjskë, ambasadori Bajrami ia përmend të gjitha me data

Lajme
Hyrja me pagesë në Prishtina Football Fest? Flasin qytetarët

Hyrja me pagesë në Prishtina Football Fest? Flasin qytetarët

Egzona Shigjeqi
Ferdinand bën një parashikim të guximshëm për Euro 2024, i thotë Southgatet të bëjë tri ndryshime te Anglia

Ferdinand bën një parashikim të guximshëm për Euro 2024, i thotë Southgatet të bëjë tri ndryshime te Anglia

Përfaqësueset
Kishte ra në rrjetën e tyre dhe mendonin se kanë kapur peshk për darkë, doli të jetë peshkaqen gjigant – burri nga Australia e riktheu në oqean

Kishte ra në rrjetën e tyre dhe mendonin se kanë kapur peshk për darkë, doli të jetë peshkaqen gjigant – burri nga Australia e riktheu në oqean

Interesante
Pamje rrëqethëse që tregojnë gjendjen e Celine Dion mes problemeve me sëmundjen e rrallë

Pamje rrëqethëse që tregojnë gjendjen e Celine Dion mes problemeve me sëmundjen e rrallë

Magazina
Kalo në kategori