Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, organizoi një darkë gala në Shtëpinë e Bardhë në nder të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Mes të ftuarve të shumtë të profilit të lartë ishte edhe ylli i futbollit, Cristiano Ronaldo, i cili u shfaq i shoqëruar nga partnerja e tij, Georgina Rodriguez.

Në mesin e figurave të njohura që morën pjesë në mbrëmje ishin gjithashtu Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dhe disa prej emrave më të rëndësishëm të botës së teknologjisë dhe biznesit, përfshirë Elon Musk, Tim Cook, Michael Dell, Chuck Robbins, Jensen Huang, Tareq Amin, Lisa Su, Mike Wirth dhe David Ellison.


Në hapje të fjalës së tij, Presidenti Trump falënderoi Princin Salman për vizitën dhe më pas u ndal te Cristiano Ronaldo, duke theksuar admirimin që djali i tij ka për futbollistin portugez.

“Djali im është një tifoz i madh i Ronaldos. Ronaldo është këtu sonte dhe mendoj se ai më respekton edhe më shumë tani që pata mundësinë ta takoj. Ronaldo, faleminderit për praninë tënde, është një nder i madh”, deklaroi Trump.

Pas ceremonisë zyrtare dhe darkës, të ftuarit kaluan momente të çlodhura dhe miqësore. Në një selfie që Ronaldo dhe Georgina publikuan më vonë, shfaqeshin gjithashtu Elon Musk dhe Gianni Infantino, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare

Vizita e Princit Mohammed bin Salman në SHBA është e para pas shtatë vitesh. Gjatë qëndrimit të tij, pritet që ai dhe Presidenti Trump të diskutojnë zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit dhe të nënshkruajnë disa marrëveshje të rëndësishme në fushat e teknologjisë, mbrojtjes dhe tregtisë. /Telegrafi/

telegrafi sport app