Ish futbollisti i akademisë së Juventusit, Çendrim Kameraj ka thyer heshtjen për herë të parë pasi u bë viral në rrjetet sociale, duke postuar fotografi me Cristiano Ronaldon.

Kameraj publikoi vetëm dy foto në rrjetin social “Tiktok”, të cilën e kanë parë mbi 10 milionë njerëz. Foto e parë e shfaq atë duke stërvitur me Ronaldon, ndërsa te e dyta është një “selfie” duke punuar si punëtor ndërtimi.


“Kam pasur mundësinë të kem eksperiencë në diçka që pak njerëz kanë pasur. Nuk të vjen në jetë një mundësi e tillë dy herë”.

“Te Cristiano mund ta shihje se si ka ardhur deri në këtë pikë. Disiplina dhe puna është e lartë në krahasim me të gjithë të tjerët. Ishte gjithmonë për-toke, edhe bëri shaka me mua. Ke diçka kur Ronaldo të thërret në emër”, tregoi ai për “Blick”.

Kameraj e ka nisur karrierën në Zvicër për të shkuar në akademinë e Juventusit, megjithatë ishte plotësisht i pafat me lëndime.

Ai e këputi ligamentin e gjurit kësisoj u rikthye te Lugano. Pas rikthimit në Zvicër pësoi edhe disa lëndime tjera kësisoj nuk zuri vend në skuadër. Pas kësaj shkoi në prova te Zurich, ku e këputi sërish ligamentin.

E tërë ëndrra e karrierës filloi t’i shkatërrohej, megjithatë prapë nuk u doërzua. Kësisoj, Kameraj kaloi në Kosovë te skuadra e Dukagjinit por pas një viti e kuptoi se nuk është më i njëjti lojtar.

“Pas dy lëndimeve të tilla realizova se nuk do të isha asnjëherë më asi lojtari. Nuk isha kurrë në gjendje të luaj i lirë, gjithmonë do të kisha frikë”.

Pas një periudhë të shkurtër, Kameraj i dha fund karrierës profesioniste por jo nga frika e lëndimeve. “U bëra baba, më ndryshuan prioritetet në jetë”.

Ai në verën e vitit 2024 pastaj sërish tentoi te skuadra e FC Tuggen, mirëpo prapë i pafat. E këputi sërish ligamentin kryesor të gjurit për herë të tretë.

“E urreja futbollin tepër shumë. Nuk doja të dija më asgjë, as nuk shikoja më ndeshje futbolli në televizion”.

Sot, Kameraj është trajner i të rinjve në divizionin e tretë te FC Ebikon, ndërsa ai ka ndryshuar mendje. “Jam falënderues për gjithçka që kam kaluar në karrierë. Do të ishte turp nëse do ta hidhja tërë dijen dhe eksperiencën time”.

I pyetur për “Tiktok-un” e famshëm, ai shtoi: “Për një video-projekt po kaloja një ditë në ndërtimtari. Aty edhe e bëra selfien”.

Kujtojmë, Kameraj gjithashtu ka përfaqësuar Kosovën U21, ku luajti në humbjen ndaj Austrisë U21 në kuadër të kualifikuesve për Kampionatin Evropian U21./Telegrafi/

telegrafi sport app