LAJMI I FUNDIT:

Rizvanolli: Blloku A5 i KEK-ut rikthehet në punë më 1 prill

Rizvanolli: Blloku A5 i KEK-ut rikthehet në punë më 1 prill

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanoll, ka prezantuar para Kuvendit masat emergjente në furnizimin e energjisë.

Ajo në seancën e sotme, tha së të njëjtat janë të nevojshme, pasi gjendja ende vazhdon të jetë e rënduar dhe me mundësi të përkeqësimit javëve dhe muajve në vijim.

“Duke marrë parasysh se gjendja në tregun evropian sa i përket furnizimit të çmimeve me energji elektrike vazhdon të jetë e renduar dhe me mundësi të përkeqësimit sa i përket javëve dhe muajve në vijim derisa ka ulje të temperaturave. Qeveria e Kosovës ka shpallur masat emergjente në furnizim me energji, në përputhje me nenin 25 të Ligjit për Energji”, tha ajo.


Asaj i reagoi deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili adresoi disa pyetje karshi ministres, derisa kërkoi sqarime se sa para janë kursyer nga këto masa emergjente.

“Ne po shpallim gjendje emergjente të jashtëzakonshme, por pse nuk është në funksion Blloku A5. Pse Blloku B gjeneron diku 60 megavat më pak energji se para se me ndodh remondi. Cili është çmimi i importit të energjisë elektrike ? Me çfarë çmimi e blen Kosova energjinë dhe me çfarë çmimi e shesim”, tha ai.

Por, ministrja Rizvanolli tha se vlera e kursimeve nuk është konkrete, por janë disa miliona euro, teksa tha se Blloku A5 i KEK-ut, pritet të rikthehet në funksion më 1 prill të këtij viti.

“Sa i përket vlerës së kursimeve, sigurisht mund të flasim për vlerësime por jo të sakta. Pasi secila prej pajisjeve varet nga specifikat teknike sa hargjon, po ashtu varet edhe sa kohë do të punonte ajo dhe sa do të ishte çmimi i energjisë elektrike të importit që varion nga koha në kohë. Po flasim për disa milionë euro, jo për disa qindra milionë apo dhjetëra milionë, por për disa milionë. Mendoj se edhe më e rëndësishme se vlera e kursimit është se Policia e Kosovës dhe Dogana e kanë pasur bazën ligjore që iu ka mundësuar të sekuestrohen këto pajisje që kanë qenë ilegale…Janë nënshkruar disa kontrata dhe pritet që bllokua A5 të rikthehet në punë prej datës 1 prill”, tha ajo.

Kritik ndaj ministres dhe këtyre masave emergjente u shpreh edhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.

“Është ende e çuditshme qysh ende po kërkon masa emergjente për sektorin e energjisë të cilat kanë prodhuar aq pak rezolutat, sa as deputetët e partisë tënde nuk po t’i votojnë”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se këto masa emergjente janë të pakuptimta.

“Është e pakuptimtë dhe nuk shkon në favor të zgjidhjes së çështjes. Këtë e keni ditë para 1 viti se kemi krizë energjetike, keni ditë shumë mirë se mund të procedohet ligji dhe mos të vihet me vendime at-hoc, por nuk e keni konsideruar si të arsyeshëm procedimin e ligjit në këtë drejtim. Ajo çka mund të them se nuk e di çka fshehtë pas këtyre vendimeve, por e dina se edhe pas këtyre vendimeve qytetarët po përballen me mungesë të energjisë elektrike”, u shpreh ai.

Kuvendi i Kosovës, prej vitit të kaluar ka miratuar gjashtë herë vendimin për masat emergjente të energjisë elektrike, të cilat janë në periudhë 30 ditore.