Një burrë 22-vjeçar australian ka vuajtur nga një sëmundje misterioze që bën që trupi i tij të ndihet i nxehtë kur përjeton të ftohtë dhe i ftohtë kur prek diçka të nxehtë.

Problemet e Aidan McManus filluan në moshën 17-vjeçare, kur ai ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme.


Në fillim, ai humbi ndjenjën në këmbë, duke i thënë nënës së tij se ato i ishin mpirë.

Kur këmbët filluan t’i ënjteshin, ai shkoi në spital, ku mjekët i dhanë disa ilaçe, por kjo nuk e ndihmoi aspak gjendjen e tij.

Gjërat vetëm u përkeqësuan prej andej, dhe ai u diagnostikua me sindromën e zorrës së irrituar post-virale (IBS), e cila e komplikoi edhe më shumë gjendjen e tij, përcjell Telegrafi.

Pavarësisht shëndetit të dobët, Aidan arriti të mbaronte shkollën e mesme, por më pas filloi të përjetonte një ndjesi të çuditshme edhe në duart e tij.

Kur ai prekte diçka të ftohtë, duart i ndjente sikur po digjeshin, dhe kur prekte diçka të nxehtë, ndihej jashtëzakonisht i ftohtë.

"Na u tha se përfundimisht do të shkojë në duart e Aidan", tha nëna e të riut, Angela McManus.

"Ne po mendonim se kjo mund të ndodhte 10-15 vjet më vonë, por një natë, Aidan erdhi tek unë dhe më tha, mami mora kanaçen Coca-Cola dhe duart i ndjeva sikur ishin në zjarr.”

Neurologët janë përpjekur të kuptojnë gjendjen e çuditshme të Aidan prej vitesh; ata i kanë bërë dhjetëra teste, dhe madje i kanë prerë një pjesë të një nervi në këmbë për një biopsi, por nuk kanë mundur të japin një përgjigje.

Përfundimisht, një mjek e diagnostikoi 22-vjeçarin me një çrregullim të përgjithësuar nervor – neuropati periferike aksonale – e cila ndikon në mënyrën se si qelizat nervore transmetojnë sinjale në të gjithë trupin.

"Për arsye të qarta, ai nuk mund të gatuajë. Duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Kur i jap ushqim, duhet t'i them se është vërtet nxehtë, ose është vërtet ftohtë", tha nëna e Aidan. /Telegrafi/