Rinia, arsimi dhe kultura – prioritetet e kandidatëve për Asamblenë Komunale në Vushtrri

Në një diskutim online të organizuar në Vushtrri me temën “Kandidatët për Asamblenë Komunale – Vizioni për Vushtrrinë”, kandidatët e partive politike shpalosën arsyet e kandidimit, prioritetet e tyre dhe vizionin për qytetin.
Debati u fokusua në rëndësinë e Asamblesë Komunale, raportin me qytetarët dhe mesazhet për zgjedhjet që po afrohen.
Arbër Hoxha, kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës, theksoi se Asambleja është institucioni ku qytetarët kanë përfaqësimin e drejtpërdrejtë.
“Asambleja është vendi ku miratohen buxhete, planet e zhvillimit, projektet për shkolla, rrugë, ndriçim publik, kulturë e sport. Çdo vendim aty prek përditshmërinë e qytetarëve. Një asamble e fortë është garancia që zëri i qytetarëve nuk shuhet edhe pas zgjedhjeve,” tha Hoxha.

Ai shtoi se kandidimi i tij nuk ka të bëjë me interes personal, por me dëshirën për të qenë pjesë e vendimmarrjes për çështje që prekin jetën e përditshme.
“E kam parë realitetin e qytetit, prindër që nuk gjejnë çerdhe për fëmijët, të rinj që largohen nga mungesa e mundësive, monumente të harruara kulturore dhe mungesë hapësirash për sport e kulturë. Përballë këtyre problemeve nuk dua të rri si spektator, por të jem zëri i atyre që shpesh mbesin pa zë,” theksoi ai.
Nga ana tjetër, Rrustem Mehmeti, kandidat nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se motivi i tij për kandidim lidhet me angazhimin e tij shumëvjeçar në politikë dhe nevojën që qytetarët të kenë përfaqësim real në Kuvendin Komunal.
“Asambleja është vendi ku qytetari duhet ta ketë zërin e tij. Për fat të keq, disa asamblistë kanë marrë pagën por asnjëherë nuk janë ngritur në Kuvend për të shpalosur problemet e qytetarëve. Ky ka qenë motivi im për të kandiduar,” tha Mehmeti.
Ai shtoi se përvoja dhe përgatitja e tij akademike do ta ndihmojë të përfaqësojë interesat e rinisë, arsimit dhe kulturës.
“Qëllimi im është rinia, kultura dhe arsimi. Do të jem krah i djathtë i secilit qytetar të Vushtrrisë, afër kryetarit të komunës me ide dhe plane të qarta,” theksoi Mehmeti.

Të dy kandidatët theksuan se përveç rolit përfaqësues të Asamblesë, ata do të fokusohen në plane konkrete që lidhen me rininë, arsimin dhe kulturën, duke i cilësuar këto fusha si prioritet për zhvillimin e Vushtrrisë.
Në pjesën përmbyllëse të debatit, kandidatët dhanë edhe mesazhet e tyre drejtuar qytetarëve. Arbër Hoxha u zotua për një përkushtim të plotë në shërbim të komunitetit.
“Qyteti ynë meriton më shumë dhe më mirë – arsim modern, çerdhe të reja, shkolla me mësim gjithëditor, laboratorë e bursa, si dhe një rini të fuqizuar. Monumentet tona kulturore nuk duhet të mbeten në harresë, sepse ato sjellin turizëm e zhvillim ekonomik. Vushtrria ka nevojë për ekonomi të fortë, shëndetësi cilësore, mbështetje sociale dhe një ambient të gjelbër. Nuk premtoj mrekulli, por përkushtim dhe llogaridhënie. Nëse doni zërin e një të riu që do të mbikëqyrë transparencën e komunës, ju ftoj të më votoni mua, Arbër Hoxhën nga LDK.”
Ndërsa Rrustem Mehmeti theksoi lidhjen e tij të ngushtë me qytetin dhe u bëri thirrje qytetarëve që ta mbështesin atë dhe kandidatin për kryetar të PDK-së.
“Jam rritur në këtë qytet dhe kam vizituar çdo lagje e fshat për të dëgjuar problemet e qytetarëve. Ju premtoj se nëse do të jem asamblist, do të jem zëri juaj në çdo seancë të Kuvendit Komunal. Do të jem krah i djathtë i qytetarëve të Vushtrrisë. Ju ftoj të votoni Ferit Idrizin për kryetar dhe mua për asamble komunale, sepse së bashku do të punojmë për një Vushtrri më transparente dhe më të zhvilluar.”
Debati u realizua si pjesë e projektit “Fuqizimi i pjesëmarrjes së të rinjve në procese politike” i implementuar nga Demokracia për Zhvillim (D4D) me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).


















































