Vazhdimi i seancës konstituive, e 55-ta me radhë ka dështuar sërish. LVV fillimisht propozoi Albulena Haxhiun për kryeplarlamentare, por e njëjta nuk mori mjaftueshëm vota. Pas Haxhiut, LVV propozoi Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, por edhe ajo sikurse Haxhiu dështoi.

Pro Gërvallës votuan vetëm 57 deputetë. Seanca u ndërpre, për të vazhduar më 22 gusht, nga ora 11:00.


Të hënën Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Sipas aktgjykimi thuhet se Gjykata, në mënyrë të përmbledhur rikujton që përmes Aktgjykimit të të 26 qershorit 2025 lidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit konstatoi që “Seanca Konstituive e Kuvendit është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve.

Telegrafi do të ju mbajë të informuar në kohë reale mbi zhvillimet në Kuvend:

20/08/2025 12:12-Murati: Tashmë gjithçka kristal e qartë - PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe janë të interesuara të bllokojnë Kuvendin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati theksoi sot se tashmë është gjithçka është e qartë se kush po e bllokon themelimin e institucioneve të reja. Murati në një deklaratë për media pas dështimit të konstituimit të Kuvendit tha se sot me mosvotimin në Kuvend edhe të propozimit të dytë të LVV u vërtetua ajo që kanë thënë në fillim se kush janë bllokuesit e Kuvendit. “E pamë që tashmë në Kosovë janë dy blloqe: njëri bllok me 57 vota që kanë dalë nga këto zgjedhje që kanë dalë nga vullneti i popullit, LVV, Partia Guxo dhe Alternativa si dhe partnerët jo shumicë jo serbë dhe Nenad Rashiq nga komuniteti serb si dhe blloku tjetër. PDK, LDK, AAK dhe Lista serbe si dhe disa  deputetë ndërmjet...”, tha ai.

20/08/2025 12:07-LDK nuk mbështet kandidatë pa marrëveshje, Abdixhiku: VV si ka numrat

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është deklaruar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit. Abdixhiku bëri të ditur se sot u bë e qartë që thelbi i problemit qëndron tek mungesa e numrave dhe se Lëvizja Vetëvendosje po refuzon të bëjë kompromis me partitë e tjera. “Tashmë është e qartë se thelbi i problemit ka qenë të shumica parlamentare përkatësisht mungesa e kësaj shumice. Ne kemi në thelb të problemit mungesën e shumicës politike. Pra nuk ka numra partia që ka dal e para në këto zgjedhje, refuzon të bëj kompromis me partitë tjera që kanë ofruar alternativa dhe rrjedhimisht bën bllokadë”, ka deklaruar Abdixhiku. Lajmi i plotë KËTU.

20/08/2025 12:05-Bajrami: LVV po bllokon Kuvendin me qëllim, u dit që Gërvalla e Haxhiu si kishin votat

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami ka folur pas dështimit të radhës të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje propozoi fillimisht Albulena Haxhiun e pastaj Donika Gërvallën, të cilat dështuan të zgjidheshin. Bajrami u shpreh se LVV e ka ditur se të dyja kandidatet nuk do të marrin votat. “Sot u propozuan dy kandidate për të cilat dihej se nuk kishin votat. Është e qartë se nuk kishte mbështetje as për Haxhiun, as për Gërvallën,” tha Bajrami. Ajo theksoi se LVV nuk e ka as interes për të konstituar Kuvendin.

20/08/2025 11:48-Krasniqi: PDK do të votojë kandidatët e propozuar për kryetar të Kuvend nga LVV, por që nuk ishin pjesë e qeverisë Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas përfundimit të seancës konstituive ku sërish nuk u zgjodh kryetari i Kuvendit tha se si PDK do të votojnë një kandidat ose kandidate për kreun e Kuvendit që nuk ka qenë pjesë e qeverisë Kurti. Krasniqi theksoi se ka mbi katër muaj që partia që doli e para në zgjedhje ka bllokuar formimin e institucioneve të reja.

20/08/2025 11:38-As Donika Gërvalla nuk votohet për kryeparlamentare

Donika Gërvalla u propozua nga LVV për kryeparlamentare, por as ajo nuk mori votat e mjaftueshme. Propozimi i Donika Gërvalles erdhi pasi Albulena Haxhiu nuk u votua nga deputetët. Gërvalla mori 57 vota, kundër votuan 56 deputetë, kurse tre deputetë abstenuan. Seanca u ndërpre për të vazhduar pas dy ditësh.

20/08/2025 11:36-Albulena Haxhiu nuk merr votat e duhura, nuk arrin të zgjedhet kryeparlamentare

Lëvizja Vetëvendosje propozoi sërish Albuelna Haxhiun për kryetare të Kuvendit. Propozimi u bë nga deputeti Glauk Konjufca. Pas propozimit kryesuesi i seancës e hedhin në votim. 57 vota ishin për, 56 kundër dhe 3 abstenime. Deputetët që abstenuan ishin Fatmir Limaj, Xhevahire Izmaku dhe Arbreshë Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate Kryesuesi i seancës Avndi Dehari konstatoi se kandidatja Haxhiu nuk arriti të marrë votat e duhura.

20/08/2025 11:32-Pas dështimit të propozimit të parë, LVV propozon Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit

Pasi në propozimin e parë të seancës së sotme ku e propozuar ishte Albulena Haxhiu, Lëvizja Vetëvendosje për herë të dytë propozoi Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit. As Gërvalla nuk i mori votat e nevojshme për kryetare të Kuvendit.

20/08/2025 11:22-Limaj: Po kthehemi në Kuvend me shpresën që pas aktgjykimit të Kushtetueses gjërat janë më të qarta  

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj para nisjes së seancës konstituive tha se po kthehen në Kuvend me shpresën që gjërat janë më të qarta tash pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se si Nismë presin që seanca të vazhdojë sipas udhëzimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. “Ne si Nismë presim që seanca të vazhdojë sipas udhëzimeve të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pastaj do të shohim si do të rrjedhin gjërat”, tha ai. Limaj tutje tha se Nisma ka ofruar angazhimin e saj për themelimin e institucioneve të reja.

20/08/2025 11:13-Krasniqi: Kandidatin që propozohet për kryetar do ta votoj

Deputeti i zgjedhur nga Grupi Multietnik, Elbert Krasniqi ka thënë se çdo kandidat që do të propozohet nga Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit do të voton ‘pro’. Krasniqi këto komente i bëri pak para vazhdimit të seancës konstituive. “Si në çdo seancë tjetër edhe në këtë seancë kandidati që propozohet do të votoj pro edhe kështu do të vazhdoj”, tha ai. Pas tri javësh, sot do të vazhdoj seanca konstituive të cilës i parapriu publikimi i plotë i aktgjykimit për ngërçin politik në vend nga Gjykata Kushtetuese. Sipas këtij aktgjykimi brenda 30 ditësh duhet të ndodh konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe emri i kandidatit apo kandidates së propozuar për kryekuvendar nuk mund të votohet më shumë se tri herë.

20/08/2025 11:02-Hajdari fton deputetët të kryejnë obligimin e tyre

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari pak para se të fillojë vazhdimi i seancës konstituive ka ftuar deputetët e të gjitha partive ta kryejnë obligimin e tyre. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajdari nuk u përgjigj kur u pyet nëse Albulena Haxhiu a do të jetë emri që përsëri kjo parti do ta rikandidojë për kryekuvendare. “I ftoj të gjithë deputetët të kryejnë obligimin e tyre”, tha shkurt ajo.

20/08/2025 10:57-Rexhepi: Ndoshta e kryejmë konstituimin e Kuvendit

Pak para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, zëvendëskryeministrja në detyrë Emilja Rexhepi, u deklarua lidhur me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Rexhepi tha se respekton plotësisht vendimin e Gjykatës dhe do të japë votën e saj për kandidaturen e Albulena Haxhiut. “Unë e respektoj Gjykatën Kushtetuese, mendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e votoj kandidaten Albulena Haxhiun,” tha ajo. E pyetur nëse Kuvendi do të konstituohet brenda afatit 30-ditor, Rexhepi u shpreh me rezervë “Ndoshta e kryejmë, ndoshta.”

20/08/2025 10:51-Haradinaj: Gjykata sqaroi votimin – s’kemi votë për Haxhiun, por do të votonim kandidatë tjerë nga LVV

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj deklaroi sot para seancës së Kuvendit se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar disa aspekte kyçe për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. “Do të kthehemi në parlament pas vendimit të Gjykatës, tashmë dihet është sqaruar se duhet të jetë votim i hapur dhe njëkohësisht është sqaruar se një kandidat që nuk merr votën s’mund të kandidojë mbi tri herë, po ashtu është edhe afati 30-ditor edhe njëherë”, tha Haradinaj. Ai konfirmoi se AAK nuk do të mbështesë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, por u shpreh i gatshëm të mbështesë një kandidat tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilin e cilësoi si “unifikues”. Lajmi i plotë KËTU.

20/08/2025 10:40-Deputeti i PDK-së, Nura: Shpresoj që LVV të nxjerrë një figurë me unifkuese

Deputeti i PDK-së Jakup Nura, ka folur për mediat para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive. Ai tha se shpreson që LVV ka reflektuar. "Mendoj që LVV ka pasur kohë të reflektojë, dhe ta shohë dëmin që i ka shkaktuar vendit me bllokadë. Shpresoj që do të nxjerrë një figurë me unifikuese", tha ai. Seanca pritet të fillojë brenda pak minutash.